Veprimtari Durmishi e quan Hashim Thaçin Ismail Qemal
Ish-gazetari dhe veprimtari nga Mitrovica, Ylber Durmishi, ka bërë të ditur se përmes telefonit ka biseduar me ish kryetarin e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati dhe me ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi.
Durmishi, Thaçin e cilësoi si Ismail Qemali i dytë, teksa u shpreh i lumtur për bisedën me të.
“Sonte mora një nga telefonatat më të mira të jetës time, përmes telefonit bisedova me Presidentin e Kosovës Hashim Thaqi ishte kënaqësi dhe nder i madh të dëgjoja zërin e Ismail Qemalit të dytë të shqiptarisë, gjithashtu e falëndëroj Kryetarin e Veteranëve Hysni Gucatin i cili ma dha këtë mundësi të bisedoja me Presidentin, këta janë heronjë të gjallë dhe vetë historia e Kosovës”, ka shkruar Durmishi në llogarinë e tij në Facebook.
Kujtojmë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po mbahet në paraburgim në Hagë ku mbi të rëndojnë akuzat për krime lufte, arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krimit kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.
Ndërsa, akuzat e Dhomave të Specializuara në Hagë, ish kreun e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucatin e akuzojnë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.