Veprimtaria botuese në Kosovë po përparon më shumë se në Shqipëri
Intervistë me drejtorin e shtëpisë botuese “Armagedoni”, Berat Dakaj, alias Armagedoni
Intervistoi: Lulëzim Etemaj
Berat Dakaj, jemi miq qëmoti. M’i ke botuar dy libra. Çdo botim të shtëpisë sate e përcjell që prej themelimit të saj dhjetë vjet më parë. Meqë nga nesër fillon edicioni i 23-të i Panairit të Librit “Prishtina 2023”, na thoni cilat janë risitë e këtij edicioni?
Më duket se kjo pyetje do të duhej t’i bëhej organizatorit, megjithatë them se, si zakonisht në çdo edicion të ri, botuesit e vjetër dhe të rinj sjellin libra të vjetër dhe rinj. Risi, sa pashë dhe dëgjova nga organizatorët, është pjesëmarrja e Ismail Kadaresë, por jo edhe e Rexhep Qosjes. Profesor Qosja për çdo vit, edhe pse me shëndet nuk është mirë, merr pjesë në edicionet e panairit. Ditë më parë Shoqata e Botuesve e Kosovës paralajmëroi se do të vijnë edhe shkrimtarë të huaj. Nuk e di kush prej shkrimtarëve botërorë do të vijë. Nuk pashë në hapësirën e panairit asnjë fotografi të ndonjë shkrimtari të huaj, as nuk na është shpërndarë katalog i botimeve të reja dhe i mysafirëve “specialë”. Kështu që, panairi i librit e vazhdon traditën e zakonshme, të mbledhjes së botuesve, të librave dhe të lexuesve në një vend. Pavarësisht që mund të bëhet më shumë dhe më mirë, është mirë që një ngjarje e tillë organizohet ende.
Cilët janë titujt e veçantë të shtëpisë botuese “Armagedoni” në këtë edicion të panairit?
Që nga edicioni i kaluar i panairit deri në këtë të riun kemi botuar njëzet e tetë libra nga kryesisht, fusha e letërsisë dhe e dramaturgjisë. Që mos t’i përmend të gjithë, po i bie trup: kemi botuar “Artin e fiksionit” të David Lodges përkthyer nga Meliza Krasniqi, e cila nga Ministria e Kulturës është shpërblyer me çmimin për veprën më të mirë të përkthyer në vitin 2022. Kemi botuar edhe librin “Ese” të George Orwellit përkthyer nga Granit Zela. Pastaj, libra dhe vepra të Fadil Hysajt, Haqif Mulliqit, Sali Bashotës, Arif Molliqit, Avdush Canajt, Enver Visokës, Emin Z. Eminit, Rifat Muriqit, Fatmir Lekajt, Dibran Demakut, Uran Krasniqit, Antigona Behramit, Jesmina Kurtajt, Ornela Kullollit, Ramë Bashotës, Afrim Hysenajt, Flodian Malokut, Driton Fejzullahut, Dituri Nezirajt, Xhevat Muqakut, Haki Mulliqit e dhjetëra të tjerë.
Duke qenë se flitet për krizë të leximit të librit, cilat janë pritjet tuaja nga ky panair?
Sonte m’u duk, pasi që bëra një vëzhgim në gjithë hapësirën e panairit, se asnjëherë më shumë libra nuk kanë sjellë botuesit. Gjithashtu m’u duk se botuesit presin të ketë interesim të madh të lexuesve. Shpresoj se pritjet e tyre do të realizohen. Lexuesit mundësinë e kanë të blejnë libra me zbritje dhe të gjejnë libra të ndryshëm nga botuesit e Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi, edhe pse pjesëmarrja e botuesve jashtë territorit të Kosovës sivjet ishte më e vogël. Pesë a gjashtë botues të Shqipërisë sivjet nuk po merrnin pjesë. Sigurisht nuk janë ndarë të kënaqur në edicionet e kaluara. Dy prej tyre më thanë kështu. Megjithatë, u ndanë apo jo të kënaqur me shitje dhe me organizim, botuesit e kanë obligim moral të marrin pjesë në këtë festë të madhe të librit për shkak të autorëve që u botojnë libra. Është njëfarë vlerësimi që i bëhet kontributit të tyre letrar dhe shkencor.
Lexues të dobët, apo libra të dobët? A s’është kjo çështja me të cilën duhet të merren shtëpitë botuese para se të vendosin për të botuar ndonjë libër?
Edhe Shqipëria edhe Kosova kanë botues të mirë dhe seriozë dhe kanë botues që s’vlejnë gjë. Më shumë se shteti, se Ministria e Kulturës, botuesit e Shqipërisë kohë të gjatë i kanë përkrahur ambasadat, institutet, organizatat e huaja për përkthimin dhe për botimin e veprave të autorëve të huaj në gjuhën shqipe dhe lexuesit e Kosovës mezi nuk kanë pritur të hapet panairi i librit këtu, ose ai në Tiranë, e të furnizohen me libra të rinj, kryesisht me vepra të përkthyera. Rrallë botuesit e Shqipërisë kanë drejtuar gishtin kah Ministria e Kulturës për të keq. Është dashur t’i mbajnë gishtat, edhe tastierat, mbi kulmin e saj! Shumë rrallë botuesit e Shqipërisë i kanë kundërshtuar politikat e saj për librin. Janë pajtuar me pak përkrahje dhe me hiçpërkrahje. Edhe me Qendrën e Kotë të Librit dhe Leximit. Disa autorë nga Kosova, edhe pse në Kosovë ka botues me bollëk, të mirë dhe të këqij si në Shqipëri, kohë më parë kohë të gjatë kanë pritur një pëlqim për botim të një libri nga botuesit e Shqipërisë. Edhe sot, disa prej tyre, më shumë kanë dëshirë të bashkëpunojnë me botues të Shqipërisë sesa të Kosovës. Ua merr mendja se atje ka njerëz më shumë dhe ata njerëz lexojnë më shumë. Statistikat, e realizuara ndër vite nga disa OJQ dhe nga disa agjenci për lexueshmëri në Shqipëri, ose nuk i kanë parë, ose nuk i kanë bindur se lexueshmëria atje nuk është më e madhe se në Kosovë. Prandaj, pse një autor nga Kosova duhet të ndihet më i vlerësuar në Shqipëri sesa në Kosovë kur shkalla e lexueshmërisë është e njëjtë si atje si këtu, gjithashtu edhe vlerësimi kritik?! Edhe përgatitja e librit për botim është e njëjtë si atje si këtu. Edhe cilësia e shtypit po e njëjtë. Këtu, vitet e fundit, edhe më e mirë dhe më e lirë! Botuesit e Shqipërisë nuk botojnë libra falas. Njoh dhjetëra autorë nga Kosova, që për botim të një libri te një botues në Shqipëri, kanë dhënë mijëra euro. Ai që s’e ka dhënë asnjë, ka marrë vetëm pesë-gjashtë ekzemplarë të librit dhe shumë shpejt është harruar vepra e tij. Në Kosovë nuk ndodh siç ndodh në Shqipëri. Shumica e botuesve të Kosovës kanë kujdes për autorët besnikë. I promovojnë vazhdimisht. Përkujdesen për veprat e tyre. Më shumë se botuesit, autorët i mbështet Ministria e Kulturës e Kosovës, edhe drejtoritë e kulturës të komunave. Në Kosovë, autorëve dhe botuesve, mbështetjen që ua japin Ministria e Kulturës e Kosovës dhe drejtoritë e kulturës të komunave, nuk ua japin as bashkitë, as Ministria e Kulturës, autorëve dhe botuesve të Shqipërisë. Prandaj, veprimtaria botuese në Kosovë në dhjetë vjetët e fundit po përparon më shumë se në Shqipëri. Edhe po botohet më shumë këtu, dhe po përkthehet më shumë letërsia e huaj, edhe libra të fushave të ndryshme shoqërore. Vitin e kaluar, edhe pse Shqipëria ka numër më të madh të banorëve, më shumë janë botuar libra në Kosovë sesa në Shqipëri. I kam marrë statistikat nga dy bibliotekat kombëtare. Së këndejmi, rreth tridhjetë për qind e botimeve në Kosovë vitin e kaluar janë subvencionuar nga MKRS-ja, nga komunat, nga organizatat vendore dhe të huaja, nga kompanitë private dhe publike. Nëse ky trend vazhdon edhe në dy vitet e ardhshme, nëse MKRS-ja nuk e themelon një Qendër Kombëtare Koti të Librit dhe Leximit si Shqipëria, por vijon të japë një milion euro për botim të librit dhe të revistave dhe për blerje të tyre, autorët e Shqipërisë do të kërkojnë bashkëpunim me botuesit e Kosovës. Dhe ky bashkëpunim, sidomos që pesë vjet, ka nisur të rritet përditë në numër dhe cilësi. Mbase për shkak se më shumë dorëshkrimet e librave të autorëve të Shqipërisë po i subvencionon materialisht Ministria e Kulturës e Kosovës sesa ajo e Shqipërisë. Por, s’besoj se do të shkojë gjatë kështu, kjo “përmbysje”, ky avancim. Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka nisur ta vërejë këtë përparësi të botuesve të Kosovës, cilësinë e botimeve këtu dhe përkrahjen që institucionet lokale dhe qendrore po ua japin autorëve dhe botuesve. Shumë shpejt Shqipëria do ta përqendrojë vëmendjen te veprimtaria e botuesve të Shqipërisë.
Shkruat mbrëmë se “Eskadronët e vdekjes: kronikë e një kasaphane” i Bardhyl Mahmutit është romani më i suksesshëm i letërsisë së Kosovës. Nga e nxorët këtë vlerësim?
Po e përsëris atë që kam shkruar mbrëmë: “Eskadronët e vdekjes: kronikë e një kasaphane”, i Bardhyl Mahmutit është botuar dy vjet më parë. Roman më të suksesshëm letërsia e Kosovës nuk ka pasur kurrë më parë qysh të doni e matim. Nëse e matim me tirazh, deri më tani vetëm në gjuhën shqipe, për dy vjet, janë shtypur 10 000 copë. Në javën tjetër autori do të rishtypë edhe 1 000 copë. Nëse e llogaritim edhe tirazhin në katër gjuhët e tjera, rrumbullak 30 000 copë. Nëse e llogaritim këtu edhe tirazhin online, bëhen 60 000 copë. Hajde tash ta matim me sukses të përkthimit. Për dy vjet është përkthyer në katër gjuhë të mëdha botërore. Po përkthehet edhe në dy të tjera. Deri në fund të vitit do të botohet edhe në ato dy gjuhë dhe procesi i përkthimit në gjuhë të tjera do të vazhdojë. Hajde tash ta matim me vështrime kritike: për dy vjet mbi 60 vështrime kritike nga studiues, kritikë, publicistë, historianë. S’po i futim këtu përshtypjet e shkurtra dhe të gjata të lexuesve të paprofilizuar nga fusha e letërsisë që janë mijëra. Edhe pse vetë jam botues, s’më vjen inat të them se në secilin panair libri që kam marrë pjesë në dy vjetët e fundit, “Eskadronët e vdekjes” i Bardhyl Mahmutit është kërkuar më së shumti. Suksesin nuk ia ka dhënë vetëm paraqitja e autorit nëpër televizione, në medie online dhe fizike dhe përurimet e tij nëpër biblioteka, institute, shoqata etj. Ia ka dhënë tema që ka trajtuar, e vërteta mbi popullin shqiptar në Kosovë dhe krimet e regjimit kriminal serb ndaj shqiptarëve. Shumë njerëz kanë shkruar se është libër që u duhet gjeneratave të reja. Përpos gjeneratat e reja, interesim të madh për të kanë shprehur edhe të mesmet dhe të vjetrat dhe, gjatë ditëve të panairit, mund ta gjejnë në stendën e shtëpisë botuese “Armagedoni”.