Veprimtaria e GBKNH-s

26 dhjetor 2023 | 12:50

Veprimtaria lobiste dhe diplomatike e LPK-së në vitet 1987-1994 / Kumtesë në kuadër të simpoziumit shkencor, me rastin e shënimit të 40-vjetorit të LPK-së  (2)

Shkruan: Fatmir Lekaj, politolog

Në vijim disa nga mbështetësit – bashkëpunëtorët e tjerë të jashtëm të Grupit për Ballkanin të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH-s) (angazhimi/profesioni aktual i tyre i kohës në Norvegji):

Shkëlzen Kukleci, aktivist i të drejtave të njeriut, simpatizant i LPK-së Ali Aliu, aktivist i LPK-së
Hajrie Aliu, aktiviste e LPK-së Isa Thaçi: aktivist i LPK-së Blerim Rexhepi, aktivist i LPK-së Jashar Etemaj, aktivist i LPK-së Afet Ismajli, aktivist i LPK-së
Gëzim Haklaj, deputet i Kuvendit të Kosovës, simpatizant i LPK-së Rrahim Përçuku, pedagog, simpatizant i LPK-së
Qani Dehari, sipërmarrës, aktivist i LPK-së
Jonuz Emini: sipërmarrës, simpatizant i LPK-së, etj.

Në vijim fotot (nga periudha e viteve `80 – `90) e themeluesve dhe mbështetësve kryesor të GBKNH-s:

No description available.

Ministri i jashtëm norvegjez i mirënjohur ndërkombëtarisht, Johan Jørgen Holst, dhe bashkëshortja e tij Marianne Heiberg, studiuese e njohur pranë Institutit Norvegjez për Politikë të Jashtme (NUPI), mike e Berit Backerit, njëherësh tezja e Jens Stoltenbergut (aktualisht Sekretar i NATO- s). Në foto – në një nga takimet e tyre me Yasser Arafat në lidhje me Marrëveshjen Palestinë – Izrael, të vitit 1993, e ashtuquajtura Marrëveshja e Oslos.

II Veprimtaria e GBKNH-s

Që të jetë më e kapshme dhe më e qartë veprimtaria e GBKNH-s, për Kosovën në kuadër të Procesit të Helsinkit, fillimisht është e domosdoshme të shtjellohet shkurtimisht rëndësia e Procesit të Helsinkit në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Pikënisje për Procesin e Helsinkit ishte Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE), në kuptimin e një arene të konferencave ndërkombëtare në mes të Lindjes dhe Perëndimit, e bazuar në Deklaratën e Helsinkit (1975). Në fakt, si ide u iniciua në vitin 1954 nga Bashkimi Sovjetik, përkatësisht nga ministri i Jashtëm Vjatsjeslav Molotov, i cili lansoi propozimin për një konferencë të sigurisë në mes të Lindjes dhe Perëndimit, ku parashihej që ShBA-ja të ketë vetëm një status të observatores. Ky propozim u refuzua nga Perëndimi, madje shtetet e fuqishme perëndimore e cilësuan këtë propozim si një tentim të Bashkimit Sovjetik për ta parandaluar/penguar riarmatimin në Gjermaninë Perëndimore dhe t’i dobësojë marrëdhëniet në mes të Evropës dhe ShBA-së.1 Po ashtu, Leonid Bresjnev, gjatë Kongresit të partisë në vitin 1966, u bëri thirrje shteteve evropiane për t’i trajtuar dhe zgjedhur bashkërisht çështjet e sigurisë politiko- ushtarake.2 Kështututje, kjo çështje u trajtua më shumë edhe nëpërmes Deklaratës së Bukureshtit të vitit 1966, Apelit të Budapestit të vitit 1969 etj., ku u përfshinë temat konkrete se me çfarë do të mund të merrej një konferencë e tillë.3 Në këtë vazhdë shtetet perëndimore evropiane ishin më të hapura për një konferencë të mundshme të sigurisë. Ndërsa presidenti amerikan Richard Nixon dhe ministri i Jashtëm Henry Kissinger ishin skeptikë ndaj iniciativës së Bashkimit Sovjetik, sepse konsideronin se pozicioni udhëheqës i ShBA-së në NATO dhe në bisedimet bilaterale me Bashkimin Sovjetik mund të dobësohej po qe se ShBA-ja bëhej pjesë e një dialogu multilateral për çështjet e sigurisë politiko-ushtarake.4 Pas shumë peripecive dhe iniciativave, u miratua Deklarata e Helsinkit gjatë Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE) në Helsinki të Finlandës në vitin 1975. Kjo u bë e mundshme, përveç të tjerash, pasi që u arrit që ShBA-ja dhe Kanadaja ta kenë statusin e pjesëtarit të barabartë me shtetet evropiane në kuadër të KSBE-së. Në fakt, kjo nënkupton bumerangun e parë ndaj Bashkimit Sovjetik nga Shtetet Perëndimore ngaqë plani paraprak i Bashkimit Sovjetik ishte që ShBA-ja të ketë vetëm një status të observatores. Megjithëkëtë, Bashkimi Sovjetik, duke e pasur si agjendë pengimin e bashkimit të gjermanëve, insistoi që edhe nëpërmes Procesit të Helsinkit të sigurohen kufijtë shtetërorë të pas Luftës së Dytë Botërore, njëherësh e arriti pajtueshmërinë e të tjerëve që edhe Gjermania Lindore ta ketë statusin e pjesëtares së barabartë në kuadër të KSBE-s. Deklarata e Helsinkit që, përveç Shqipërisë, u nënshkrua nga të gjitha shtetet evropiane, ShBA-ja dhe Kanadaja, nuk ishte juridikisht e detyrueshme, por duke e marrë parasysh se pas shumë peripecive ishte një rezultat i suksesshëm i një konsensusi, kryesisht mes dy superfuqive të kohës (ShBA-së dhe Bashkimit Sovjetik), konsiderohej politikisht dhe moralisht e detyrueshme.
Vlen të theksohet se KSBE u shpërfaq strukturalisht ndryshe krahasuar me Këshillin e Evropës (KE) dhe Kombet e Bashkuara (KB). Një ndër arsyet kryesore për këtë ishte se KSBE u zhvillua si

1 Leif Mevik: Underveis Europa. Aventura Forlag, Oslo, 1990, f. 31.
2 John Fry: The Helsinki Process. Negotiating Security and Cooperation in Europe. University Press of Pacific. Hawai, 2003, f. 4.
3 John Freeman: Security and the CSCE Process. The Stockholm Conference and Beyond.
Macmillan Basingstoke (London), 1991, f. 39-41, 46.
4 Daniel C. Thomas: The Helsinki Effect. International norms, human rights, and the demise of communism,
Princeton University Press, New Jersey, 2001, f. 36.

një proces i vazhdueshëm dhe arenë e dialogut ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit përmes takimeve vijuese të shteteve pjesëmarrëse dhe takimeve të ekspertëve, i njohur si Procesi i Helsinkit. Në periudhën deri në vitin 1989 mbledhjet e KSBE-s (me takimet pasuese) u mbajtën në Beograd (1976-’77), Madrid (1980-’83) dhe në Vjenë (1986-’89). Në vazhdimësi, në kuadër të Procesit të Helsinkit, kritika kryesore e shteteve perëndimore ndaj shteteve të lindjes ishte në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut.5 Dhe, edhe pse autoritetet sovjetike vazhduan ta shtypnin popullsinë dhe situata mund të dukej e pashpresë për veprimtarët e drejtave të njeriut, megjithëkëtë roli i OJQ-ve (Grupeve të Helsinkit) u bë gradualisht qendror në zhvillimin e Procesit të Helsinkit.6 Në fakt, kur filloi Konferenca e Vjenës në vitin 1986, Andrei Sakharov ishte ende në “ekzilin e brendshëm” dhe shumica e aktivistëve të të drejtave të njeriut në Bashkimin Sovjetik ose u internuan ose u persekutuan nëpërmes metodave të tjera shtetërore.7 Anatoly Marchenko, disident dhe një nga themeluesit e Grupit të Helsinkit të Moskës, arriti fshehurazi t’u dërgojë një apel delegacioneve të KSBE-s në takimin e Vjenës, në të cilin apel ai kërkoi mbështetje për t’u përmirësuar kushtet e dënimit në Bashkimin Sovjetik. Ndër të tjera, nëpërmes apelit, ai kërkonte ushqim më shpesh se çdo të dytën ditë. Marchenko vdiq në burg më 6 dhjetor 1986, pas 20 vjetësh burgim. Vdekja u shënua me një minutë heshtje e iniciuar nga kreu i delegacionit amerikan të KSBE-s, Warren Zimmermann, që rezultoi me largimin e delegacionit sovjetik të KSBE-s nga takimi, së bashku me delegacionin nga Bullgaria, nga Gjermania Lindore dhe nga Çekosllovakia. Ndërsa delegacioni nga Hungaria nuk veproi njëjtë në këtë takim, gjë që simbolizon edhe plasjen e parë të kohezionit të Traktatit të Varshavës.8 Të njëjtin vit (1986), me presionin e Perëndimit, u lirua Andrei Sakharov dhe, në këtë vazhdë, gjatë procesit të mbledhjeve të rregullta të KSBE-s, në Vjenë, në vitet 1986- ’89, u vendosën edhe parimet e KSBE-s për pjesëmarrje në proces të organizatave joqeveritare (Grupeve e Helsinkit).
Me fjalë të tjera, në mesin e 10 parimeve të Deklaratës së Helsinkit, ishte i përfshirë edhe parimi për të drejtat e njeriut, dhe gjatë gjithë Procesit të Helsinkit (nga viti 1975) ndikoi për inkurajimin dhe angazhimin e veprimtarisë vullnetare ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në veçanti nëpërmes etablimit të Grupeve të Helsinkit të mirënjohur më pastaj ndërkombëtarisht si Komitetet e Helsinkit, në kuadër të të ashtuquajturit Procesi Civil i Helsinkit, i cilësuar edhe si Lëvizja e Helsinkit. Në këtë mënyrë, në kuadër të Procesit të Helsinkit, rezultoi një bumerang i dytë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe shteteve të tjera totalitare dhe autoritare, ngaqë grupi i parë i Helsinkit, i njohur edhe si Moscow Helsinki Watch Group, u themelua në Moskë, në banesën e Andrej Sakharovit në vitin 1976, me qëllim që ta monitorojë respektimin dhe implementimin e parimit të Deklaratës së Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kjo ndikoi që të njëjtin vit të themelohen dy Grupe të Helsinkit në Lituani dhe Ukrainë. Gjithashtu, të njëjtin vit në Poloni u formua Komiteti për Mbrojtjen e Punëtorëve (KOR) dhe në vitin 1977 Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe të Drejtave Qytetare (ROPCiO). Ky komitet dhe kjo lëvizje në Poloni gradualisht rezultuan në aleancën në mes të punëtorëve, intelektualëve dhe kishës dhe themeluan Solidarnostin në vitin 1980 dhe Komitetin Polak të Helsinkit në vitin 1982. Gjithashtu, në vitin 1977 u themelua

5 Anne Elin Kleva: Konferansen om sikkerhet og samarbeid i Europa 1975-1989. Øst versus Vest: Konferansediplomati om menneskerettighetene. Norge i grenselandet mellom realpolitikk og idealisme. Mr-oppgave i historie, Oslo 2007, f. 66
6 Maria Raquel Freire: Conflict and Security in the Former Soviet Union. The Role of the OSCE, Ashgate Publishing Limited, Hants 2003, f. 71-72.
7 http://snl.no/Andrej_Dmitrijevitsj_Sakharov.
8 C. Van Esterik dhe H. Minnema, “The Conference that came in from the Cold”, i The Human Dimension of the Helsinki Process, the Vienna Follow-up Meeting and its Aftermath, red. A. Bloed and P. Van Dijk, Martinus Nijhoff Publishers, Nederland 1991, f. 2-7.

Charta 77 në Çekosllovaki, në krye me Vaclav Havelin etj., të cilët kishin krijuar kontakte me strukturat e KSBE-s. Autoritetet shtetërore sovjetike, çekosllovake dhe polake iu përgjigjën me represion aktivistëve për të drejtat e njeriut. Në veçanti autoritetet shtetërore sovjetike iu përgjigjën me represion të ashpër pjesëtarëve të Grupit të Helsinkit në Moskë, me arrestime, burgosje dhe internime të brendshme. Kjo shkaktoi indinjatë të thellë te shtetet anëtare të KSBE-së dhe rezultoi edhe me themelimin e Grupeve të Helsinkit në shtetet perëndimore, që si qëllim parësor kishin mbrojtjen e të drejtave të njeriut në shtetet lindore. Me këtë qëllim, në vitin 1978, u formalizua themelimi i Grupit të Helsinkit në ShBA, i njohur si Helsinki Watch Amerikan, (e nga viti 1988 i njohur si Human Rights Watch) dhe, për shkak të reputacionit si informator i mirë në lidhje me çështjen e të drejtave të njeriut, e ka pasur në vazhdimësi një ndikim të rëndësishëm këshillues në politikën e jashtme amerikane (delegacionet amerikane të KSBE-s) në kuadër të Procesit të Helsinkit. Gjithashtu, në kontekstin evropian, Grupi i Helsinkit në Norvegji, i njohur si Komiteti Norvegjez i Helsinkit, u themelua shumë herët, përkatësisht në vitin 1977. Në këtë vazhdë, Komitetet e Helsinkit në Shtetet Perëndimore, në kuadër të Procesit Civil të Helsinkit, e themeluan Federatën Ndërkombëtare të Helsinkit në vitin 1982, me qëllimin, përveç qëllimeve të tjera, të forcohet dhe bashkërendohet edhe më shumë veprimtaria ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të inkurajohen forcat opozitare në Lindje. Gjithashtu, politika reformiste e Mikhail Gorbatsjovit ka qenë vendimtare që sistemet totalitare dhe autoritare të fillojnë të hapen ndaj parimit të Deklaratës së Helsinkit për të drejtat e njeriut.
Vonesa e themelimit të Grupit të Helsinkit (Komitetit të Helsinkit) në Finlandë (1985) është e kuptueshme , e lidhur me linjën përgjithësisht të kujdesshme të politikës së jashtme finlandeze ndaj Bashkimit Sovjetik. Por, çuditërisht, edhe në Suedi dhe Danimarkë, Grupet e Helsinkit (Komitetet e Helsinkit) u themeluan më vonë, përkatësisht në vitin 1982 dhe 1985. Ndërsa themelimi i Komitetit Norvegjez të Helsinkit që në vitin 1977 nuk mund të shpjegohet ndryshe përpos si një ndër indikatorët e rëndësishëm të politikës së jashtme proaktive norvegjeze në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare. Njëherësh kjo shpjegon lidhjen e fortë në mes të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Helsinki Watch American (nga viti 1988 i njohur si Human Rights Watch), Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit dhe strukturave të caktuara në kuadër të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE-s). Gjithashtu, kjo shpjegon pse Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH) ka arritur të ketë një ndikim të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në kuadër të Procesit të Helsinkit.
Rrjedhimisht, LPK, nëpërmes GBKNH-s, si sektor në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, nga viti 1988, dhe nga viti 1990 si sektor me status zyrtar në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (njëherësh si veprimtari integrale në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit), përveçse fillimisht e arriti kuptueshmërinë e Komitetit Norvegjez të Helsinkit, se kërkesa “Kosova Republikë është zgjidhja më e mirë e problemeve serioze e të drejtave të njeriut në Jugosllavi”, në periudhën e viteve 1988-1994, inicioi, sugjeroi dhe kontribuoi si në aspektin e informimit, po ashtu edhe në aspektin e mbledhjes së fakteve dhe këshillimit: që fokusi i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (FNH-s) dhe i strukturave të caktuara në kuadër të KSBE-s të jetë sa më shumë i orientuar kah shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë. Në fakt, raportet, me informatat dhe këshillat në lidhje me situatën në Kosovë, që përpiloheshin nga anëtarët e kryesisë së GBKNH-s, kur iu dërgonin shtetarëve në shtetet perëndimore dhe delegacioneve të tyre në kuadër KSBE-s, nëpërmes Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (FNH-s), duke e përfshirë Helsinki Watch Amerikan (Human Rights Watch), e kishin peshën e vet të padiskutueshme si në aspektin e besueshmërisë, si në aspektin e të kuptuarit më objektiv të situatës politike në Kosovë dhe si në aspektin e prishjes së imazhit të serbo- Jugosllavisë.

Fusnotat i ka hequr redaksia / Vijon

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portali gjerman “Transfermarkt” ka publikuar 11-shen më të shtrenjtë në…