Veprimtaria e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (1989-1993) në krahinën e Anamoravës
Nga Izmi Zeka
Kumtesë e lexuar në Institutin e Historisë të Kosovës
Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), mund të konsiderohet si lëvizje më e suksesshme e pas Luftës së Dytë Botërore, e cila arriti që të gjitha organizatat ilegale që luftonin fillimisht me mjete politike ilegale ti bëjë bashkë në një ide politike dhe kombëtare.
LPRK në Anamoravë, hovin e merr në vitin 1985 për të vazhduar deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia.
Organizimi ilegal ka qenë i shtrirë në Gjilan, Kamenicë, Viti dhe në pjesët e Maqedonisë, ku jetonin shqiptarët, por edhe në territoret e Luginës së Preshevës.
Si organizatë e strukturuar dhe me program kombëtar LPRK, luftën e saj e bënte në tri dimensione:
- Dimensioni i propagandës kundër pushtimit serb,
- ngritjen e masave në demonstrata për të kërkuar republikë, dhe synimi përfundimtar;
- Përgatitja për luftë të armatosur kundër pushtuesit serb.
Gjilani ka qenë qendra e koordinimit të Anamoravës, ku kishte Këshillin e Rrethit, natyrisht i koordinuar edhe me Komitetin Drejtues me qendër në Prishtinë.
Anamoravën prej vitit 1985 deri edhe kur vdiq në një aksident, që edhe sot mbetet i pasqaruar në vitin1993 e udhëhiqi heroi i sotëm, Xhevat Qerimi.
LPRK ka funksionuar në sistemin e tresheve për shkak edhe të disiplinës dhe kujdesit për të mos rënë në sy me veprimtarin që bëhej e që ndiqej nga shërbimet sekrete serbe, natyrisht të përfshirë edhe shqiptarët e që dënimet ishin drakonike.
Botimet si “Zëri i Kosovës”, “Rruga e Lirisë”, “Pararoja” organ i OMLK-së, Këngët e Lirisë, veprat e Sylejman Krasniqit për Mic Sokolin, Oso Kukën e shumë vepra të tjera, të cilat vinin nga Shqipëria, që ishin e vetmja qartësi politike dhe kombëtare për kohën, e cila shpërndahej në shumë familje shqiptare. Leximi i literaturës atdhetare, përgatitja profesionale ishte një segment i rëndësishëm i luftës dhe organizimit në Anamoravë.
Komunikatat, traktet të cilat bartnin mesazhe atdhetare dhe përpjekje për çlirim shpërndaheshin në kushte të vështira dhe me një organizim perfekt në tri komunat.
LPRK-ja ishte frymëzim i gjitha rrymave kombëtare e që kishte vizion të qartë për shtetin e Kosovës. Ajo me kalimin e kohës kishte edhe ndryshime programore. Prej vitit 1991 përveç demonstratave, propagandës në çdo vend filloi edhe përgatitja për luftë çlirimtare.
Këtij organizimi i printe Xhevat Qerimi, Irfan Musmurati, Ismet Sylejmani, Izmi Zeka, Mujrdin Zylfiu, Zenun Pajaziti,Tefik Zymberi, Hanumshahe Abdullahu, Ismet Tafili, Ahmet Aliu, Ahmet Demiri, Ibrahim Salihu, Mexhid Beqiri, Skender Hajdari, Sabit Mushica, Xhelal Rexhepi, Hajrush e Bejtush Ramabaja, Shaban Klaiqi, Ekrem Qerimi, Njazi Azemi, Emrush Azemi, Avni Zejnullahu, Magribe Ismajli-Kamberi, Izija Rexhepi, Ruzhdi e Sadik Berisha, Rashit Ymeri, Mirsad Krasniqi, Naim Demi, Sadulla Basha, Qemajl Qerimi, Isa Musmurati, Sami Hoxha, Nazim Zylfiu dhe pas daljes nga burgu në vitet 1989 edhe Ahmet Isufi, Bejtullah Tahiri, Nazmi Hoxha, Sabit Rexhepi dhe Taip Zeka.
Komiteti Drejtues për Anamoravë, udhëheqej nga Xhevat Qerimi, Irfan Musmurati, Ismet Sylejmani dhe autori i këtyre rreshtave.
Këshilli i Rrethit për Anamoravë, kishte komunikim me Rrethet tjera, si me Ferizaj-Bajram Kadriu e Qemajl Qerimi, Podujevë-Ismet Abdullahu e Nexhmije Jashari, Kumanovë-Nazmi Beqiri e Ulusi Beqiri, Preshevë- Menderes Zeneli, Gjakovë-Mentor Kaçi e Naim Kralani, Prizren – Behadin Hallaqi, Deçan -Sami Thaqi, Pejë- Ibish Neziri, Mitrovicë – Raif Qela
Komunikimin i Komitetin drejtues të LPRK-së me Anamoravë e mbante Bajram Kadriu, por kishte edhe angazhime të tjera nga anëtarë të tjerë, që kanë punuar në politikat dhe organizimin e anamoravës, siç ishte: Fadil Vata, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Binak Berisha etj.
Shtëpitë ku u zhvillua aktiviteti i LPRK-së, dhe që ishin baza të sigurta dhe mbaheshin materiale, takime të fshehta vlen të përmenden si Familja e Ahmet Isufit, Familja e Xhevat Qerimit, Familja e Shaip Zekës, familja e Irfan Musmuratit, familja e Ismet Sylejmanit, Familja e Mujedin Zylfiut, Familja e Bali Jakupit, Familja e Ruzhdi dhe Sadik Berishes, Familja e Ahmet Demirit, Familja e Hanumshahe Zymberit, Familja e Reshat Ymerit etj.
Vitit 1989 për LPRK, shënon kthesën e madhe në Anamoravë. Nga 1968 e këndej, nuk kishte sensibilizim të tillë për demonstrata të nivelit çfarë u organizuan. Kërkesat ishin të qarta siç edhe ishte programi i LPRK-së- Kosova Republikë.
Zhvillimi i demonstratës gjithë popullore, me 27 mars të vitit 1989 (demonstrata e parë dhe më masovike pas vitit1968) e organizuar nga Këshilli Drejtues i LPRK-së dhe anëtarësia e gjerë në nivel të Rrethit-Gjilan, Kamenicë dhe Viti ishte shpërfaqja me kërkesa të qarta dhe me masivizim të rrallë.
Parku i qytetit, shkollat e mesme, Dardania dhe qendra e qytetit ishin kthyer në valë të rezistencës politike dhe pakënaqësisë me shtetin serb dhe pushtimin klasik të Kosovës.
Vrasja e Agim Rashitit më 27 mars 1989 dhe Reshat Ymerit më 29 janr 1990 nga forcat ushtarake policore serbe në demonstratat në Gjilan, ishte ndër ngjarjet e rënda që shihej se vetëm përballja me mjete luftarake mund të kapitalizoj synimin tonë dhe qytetarëve të Kosovës.
Misioni i krijimit të LPK-së, ishte rezultat i përpjekjeve që nga 1945 e këtej, duke ruajtur në koherencë filozofinë e bërjes së shtetit me mjete që tashmë janë të njohura luftën ilegale përmes agjitacionit, shpërndarjes së trakteve, komunikatave, rritjen e masave në përballje me Serbinë, strukturimin e saj në çdo cep të saj dhe luftën si mjet për zgjidhjen përfundimtare.
Në kuptimin e vlerësimit kombëtar, filozofia e shtrirjes ilegale dhe luftarake paraqet kulmin e zhvillimit të saj, duke krijuar kushte për zhvillim dhe progres të mëtutjeshëm.
Ndikim të fuqishëm në këto rrjedha të lëvizjes ilegale të kohës patën ideatorët që kishin rënë dhe të burgosurit politik, që ishin edhe rruga ku vazhdohej përballja me pushtetin e egër serb. LPK-ja e Anamoravës konceptohej në tri linja: në njërën anë angazhimin për përgatitjen dhe njohjen e qytetarit për shtypjen që bënte Serbia, për ndërkombëtarizimin e shtypjes dhe të luftës si pjesë e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës. Parapërgatitja, potenciali organizativ, njohja e rrethanave ndërkombëtare ishin komponent që ndikuan në proceset e mëtutjeshme dhe strukturimin e lëvizjes çlirimtare drejt procesit final.
Vrasja e Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut dhe vdekja e njërit prej ideatorëve Fadil Vatës ndikoi në një masë në çekuilibrimin strukturor. Pasi edhe një pjesë e komitetit drejtues të LPRK-së, kaluan në ilegalitet të thellë.
Po e theksoj përherë të parë së armët e para në kuadër të LPRK-së për rrethin e Gjilanit, i janë dhënë autorit të këtij shkrimi nga Ramadan Avdiu në Prishtinë në vitin 1990. Këto armë i kam përcjell në Gjilan bashkë me Sadete Zekën dhe Luljeta Pajazitin tek familja e Idriz Salihut ( dhëndër i familjes sonë) e që pas disa ditëve janë marr nga Ismet Sylejmani. Armët ishin automatike.
LPK-ja e rrethit të Gjilanit, funksiononte përmes tri komponentëve: Dimensioni koordinues me komitetin drejtues të kohës; dimensionin strukturor dhe agjitativ dhe dimensionin e përgatitjes për luftë të armatosur deri në çlirim.
Këto komponenta në mënyra triviale paraqesin organizimin triometrik, që konsistoi me realizimin e objektivave të heronjve të rënë gjatë gjithë historisë me çlirimin e Kosovës
LPK nga viti 1985 e këtej, do të mbetet shembulli më unikat se si organizimi ilegal ka dy rrugë që dërgojnë deri në zgjidhje. Rruga politike ilegale dhe përgatitja për një luftë kundër regjimit të egër serb.
Si strukturë e organizuar ilegale LPK-ja në objektivat e saj kishte edhe luftën si mjet të fundit për tu çliruar nga Serbia. Kështu që, në gusht të vitit 1991 me vendim të Këshillit të Rrethit, Xhevat Qerimi u vendos të shkojë në Shqipëri, për stërvitje ushtarake bashkë me një numër të konsiderueshëm shokësh të Lëvizjes ilegale. Grupi i Parë që në opinion njihet si Grupi i Zahir Pajazitit, kanë qëndruar mbi një muaj në ushtrime e stërvitje në repartet e njësive speciale ushtarake në kazermat e Ushtrisë Shqiptare.
Siç u tha më lart pas stërvitjeve që bënë në Shqipëri, Xhevat Qerimi u caktua përgjegjës për organizimin dhe përgatitjen për luftë në Anamoravë , Adem Jashari për Drenicë, Zahir Pajaziti për Llap dhe Sali Çeku për Dukagjin.
Edhe pse LPK-ja pas viteve 1991 kishte tronditje në kuptimin e burgosjes së disave anëtarëve që kishin marr pjesë në ushtrime në Shqipëri, Rrethi i Gjilanit të LPK-së, kishte ruajtur strukturën dhe funksionalitetin e saj. Natyrisht, pavarësisht se rrethanat politike ndryshuan në Kosovë, LPK tani qysh prej konferencës së dytë të jashtëzakonshme të shkurtit të vitit 1991 në konkluzionet e saja, kishte përgatitja e njësiteve të para guerile e më pas ushtarakëve për luftë të armatosur ndaj Serbisë.
Xhevat Qerimi si udhëheqës i LPK-së bashkë me shokë të tjerë, filloi organizimi strukturor ushtarak fillimisht me Ahmet Aliun e më pas duke krijuar struktura pothuajse në tërë Anamoravën, dhe fillimin e përgatitjeve me armë të nevojshme për të qenë në ballë të luftës për liri.
E përmenda më lart se pas kthimit të grupit të dytë për ushtrime në Shqipëri, u dekonspirua një pjesë e madhe kështu që edhe organizimi në nivel Kosove mbeti në gjysmë të rrugës.
Megjithatë, fillimet e organizmit ushtarak në Anamoravë dhe struktura e paprekur bëri që Rrethi LPK-së së Gjilanit, të ketë një strukturë mirë të organizuar edhe pse nuk ishte e mjaftueshme për përballje me Serbinë.
Ky fillim i strukturuar dhe me objektiva të qarta nëse e shohim nga kjo distancë historike, solli krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Janari i vitit 1993, në kulmin e veprimtarisë në nja aksident me fatalitet vdes ideatori i organizimit të LPK-së dhe vetë luftës për Anamoravë, heroi i sotëm Xhevat Qerimi.
Shikuar nga kjo distancë historike, LPK-ja e Anamoravës ka përmbushur misionin që tani edhe mund të quhet historik e që ishin realizimi i kërkesave të qytetarëve të Kosovës, të arkivuara tani në formësimin e shtetit të Kosovës.
*Kjo kumtesë do të zgjerohet dhe do të botohet nga Instituti i Historisë