Veprimtaria politike e ilegales (2)
Kumtesë e Konferencës shkencore e organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë / “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë dhe vendimet politike të Beogradit sipas dokumenteve arkivore në Arkivin e Kosovës”
Prof. Ma. Adem Ademi
Ilegalja me veprimtarinë e saj politike e realizonte në disa forma. “Në kushte të këtilla armiku ka vepruar në mënyrë ilegale dhe gjysmëilegale. Fillimisht aktivitetin e tyre e realizuan nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të ndryshme propagandistike të afisheve, të fletushkave, parullave, gazetave dhe literaturës së ndryshme. “Në këtë vështrim veprimtaria armiqësore mori përmasa të gjera. Ilegalja realizonte strategjinë e zgjerimit të veprimtarisë së saj hap pas hapi. “Mirëpo, veprimtaria armiqësore vazhdimisht zgjerohej, ndonjëherë më intensivisht e në disa periudha armiku tërhiqej (1975-1978). Shtrirja dhe zgjerimi i ilegales arriti deri te një numër i elitës intelektuale shqiptare nëpër institucionet më të rëndësishme të arsimit dhe kulturës në Kosovë e gjetiu. Në Universitet, në OPGB “Rilindja”, në RTV Prishtina dhe disa institucione të tjera të kulturës, të shkencës, të arsimit, të sportit e tjera, në Krahinë forcoheshin vatrat e veprimtarisë armiqësore.
Në viset e banuara shqiptare të Jugosllavisë dhe në Kosovë që nga vitet e ’70-ta, vepronte forca politike shqiptare ilegale dhe opozita nën hije pushtetit. Të dy krahët e opozitës shqiptare e përkrahnin në forma të ndryshme kauzën politike kombëtare Kosova Republikë. “Duke mos hyrë në tërë historinë e kësaj veprimtarie armiqësore, do të thosha se pas demonstratave të viti 1968, irredentistët dhe nacionalistët shqiptarë aksionet e para të mëdha propaganduese i ndërmorën në vitet 1973 – 1974. Më vonë ilegalen shqiptare e përbënin grupe të ndryshme politike që mund të dalloheshin për nga emri apo forma e aktivitetit politik, por, ato nuk dallonin në qëllimin final politik. Në tërësi nga kjo lëvizja veçohen grupet ilegale aktive dhe grupi pasiv që e përfshinte elitën intelektuale shqiptare. Elita intelektuale paraqitej si pasive ngase ishte nën vëzhgim. Sidomos nën llupën e Shërbimit e Sigurimit Shtetëror ishin kuadrot e Akademisë së Shkencave, kuadrot e Universitetit, të Institutit Albanologjik, të Institutit të Historisë e shumë kuadro të tjerë në institucionet kulturore dhe informative të Kosovës.
Sipas dokumenteve arkivore që dalin nga vendimet i gjykatave, frymën e lëvizjes ilegale për Republikën e Kosovës e përbënin individët me profesione të ndryshme si: nxënës, studentë, gazetarë, arsimtarë, profesorë e personalitete të tjera nga kultura e arti.
Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme të KSA të Kosovës, shtrirjen masive dhe aktivitetin e gjerë politik të grupeve dhe organizatave ilegale shqiptare te masa e gjerë popullore e krahasonte me shpërndarjen e virusit. “Mirëpo, veprimtaria armiqësore vazhdimisht zgjerohej, ndonjëherë intensivisht e disa periudha tërhiqej 1975-1978. Megjithatë një numër i mirë i grupeve nga këto pozita prej vitit 1968 e këndej u realizua, sidomos prej viteve (1978-1979, kur veprimtaria armiqësore, sipas vlerësimit të Shërbimit, fillon të zgjerohet si “epidemi”. Kurse, punën, aktivitetin profesional të elitës intelektuale shqiptare dhe heshtjen e tyre politike në institucionet publik e vlerësonte si opozitë nën hijen e Lidhjes Komuniste.
Shërbimi Shtetëror me të gjitha mekanizmat e vetë bënte përpjekjet e veta maksimale për zbulimin e veprimtarisë së organizatave ilegale shqiptare. “Në vitin 1979 shërbimi i sigurimit shtetëror erdhi tek të njohurit fillestar mbi ekzistimin dhe veprimin e disa grupeve ilegale armiqësore, të organizuara në formë të treshit, që me anë të aksionit të shkuarjes dhe të shpërndarjes së parullave dhe të afisheve paraqiteshin gjithnjë e më shumë.” Kurse më vonë,”Kah mbarimi i viti 1978 dhe fillimi i vitit 1980 u bë siç e cekëm depërtimi më i madh në zbulimin e grupeve të ndryshme ilegale. U konstatua ekzistimi i “lëvizjes” në pozitat e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar në vend, që kishte udhëheqësin e vet me emrin “Komiteti Qendror”. Tre anëtarë të këtij “KQ” u burgosen e dy ikën”. Ky aktivitet politik intensiv i ilegales shqiptare gjatë vitit 1978-79 lidhet drejtpërdrejt si kundërpërgjigje ndaj bisedimeve politike trepalëshe Serbi-Kosovë-Vojvodinë rreth ndryshimeve të Kushtetutës së vitit 1974. Bisedimet janë zhvilluar nën trysninë politike nacional-shoveniste serbe dhe sipas platformës politike shtetërore serbe “Libri i Kaltër” Gjersa politika shtetërore serbe bënte presion politik deri në federatë për ndryshimin e kushtetutës së Kosovës, në anën tjetër ilegalja shqiptare nëpërmjet aktivitetit të saj politik propagandistik kërkonte ngritjen e statusit të Kosovës.
Pas zgjerimit dhe shtrirjes së grupeve ilegale te masa, ilegalja fillon fazën tjetër të aktivitetit politik të komunikimin me institucionet krahinore. “Materialet e shumta anonime me përmbajtje armiqësore që nga ana e të ashtuquajturës “Partisë marksiste-leniniste komuniste të shqiptarëve të Jugosllavisë” u dërgoheshin disa funksionarëve dhe institucioneve të Krahinës”.
Diku “Kah fundi i vitit 1979, me masa të ndryshme ishin përfshirë rreth 600 persona, e kundër 58 sish u ngrit procedurë penale dhe u argumentua përgjegjësia e tyre penale. Për shkak të qëndrimit të marrë në Pleqësinë Federative të Mbrojtjes së Rendit Kushtetues, gjithsej 20 sish u nxorën para gjyqit. Pas realizimit të këtij aksioni, nuk kishte dhe mundësi të mjaftueshme për mbulimin dhe përcjelljen e atyre që ishin përfshirë me ndjekjen penale. Armiku, atëherë, para sëmurjes së shokut Tito, ishte i penguar, por nuk u mund, prandaj vazhdimisht organizohej, kurse Shërbimi nuk dispononte me të dhëna dhe njohuri konkrete, sidomos për organizatorët kryesorë të veprimtarisë armiqësore.
Shërbimi i sigurimit shtetëror ka qenë i paralajmëruar, i informuar në nëntor dhe dhjetor 1980, janar dhe shkurt 1981 mbi përgatitjet e aksioneve armiqësore të përmasave të gjera”.
Për përgatitjen e ngjarjeve në Kosovë kishin biseduar ndërmjet veti disa figurave të larta politike të RSFJ-së.“Para tetë ditësh në Sekretariatin Federativ të Punëve të Brendshme ka ardhur deri te vlerësimi se në Kosovë po përgatitet diçka, por nuk ka pas informata se do të ndodhin demonstratat. Për këtë vlerësim Franjo Hrleviç ka biseduar me kryetarin e Kryesisë së RSFJ-së Cvijetin Mijatoviçin dhe Kryetarin e Kryesisë së LKJ-së Llazar Mojsovin.
Destabilizimin politik e kishin paraparë edhe nga faktori ndërkombëtar me këtë rast institucionet jugosllave ishin paralajmëruar disa herë nga Shërbimet Inteligjente për mundësinë e destabilizimit të situatës politike në Jugosllavi me theks të veçantë nga Kosova. “Ju kërkoj falje në qoftë se i përsëris disa të dhëna të njohura, ngase disa herë kjo problematikë është shqyrtuar në disa forume. Kur kërkojmë historikun e veprimtarisë në Kosovë, neve disa herë që nga viti 1977 e më tej na është tërheq vërejtja nga Shërbimet Inteligjente, në radhë të parë nga vendet perëndimore, posaçërisht nga Italia dhe ShBA se Jugosllavisë do t’i ekspozohet destabilizimi dhe destabilizimi do të fillojë nga Kosova”.
Pas komunikimit të ilegales me institucionet Kosovare dhe federative, në fazën tjetër përfaqësuesit e ilegales shqiptare morën hapin tjetër shumë të rëndësishëm politik dhe historik. Ata marrin përgjegjësinë politike për organizimin e demonstratave dhe ofruan ofertën politike dhe afatin për bisedime politike në mes opozitës shqiptare dhe Kryesisë së RSFJ-së, rreth çështjes së Kosovës.
Forumet e larta politike serbosllave në Beograd kanë analizuar materialin e dërguar nga ilegalja në maj të vitit 1981, por, nuk i kanë kthyer përgjigje ilegales për bisedime asnjëherë. Politika zyrtare serbosllave në 30 vitet e fundit të shekullit XX-të. Ilegalen shqiptare, elitën intelektuale shqiptare e ka ndjek politikisht, e ka dënuar e izoluar, e ka injoruar, nuk e ka llogaritur asnjëherë forcë politike për bisedime deri në vitin 1999, kur u detyruan të zhvillojnë bisedimet në Rambuje me ndërmjetësimin e aktorit ndërkombëtar.
(Vijon / Fusnotat i ka hequr redaksia)