Veprimtaritë kriminale

21 maj 2021 | 16:16

Shkruan: Arben Dashevci

Krimi

Po e theksoj, jashtë shoqërisë njerëzore nuk ka kriminalitet.

Robinson Kruzo legjendar në ujdhesën e shkretë nuk ka mundur të bëhet kriminel edhe po të kishte dashur, sepse ai ka qenë plotësisht i vetëm dhe i izoluar, “nga ajo anë e së mirës dhe të keqes”.

Drogat, vrasjet, dhunimet seksuale (raste të shpeshta të pedofilisë), të gjitha jemi duke i parë dhe  aq sa janë, po bëhen tmerruese, aq janë edhe akte të fëlliqura që nuk i kemi pasur më përpara në këto përmasa shqetësuese.

Shembull: Në ShBA dhunuesit (Sex offenders) hyjnë në listën publike dhe sa herë të lëvizin ose ndërrojnë vendbanimin e tyre, duhet të lajmërohen tek autoritetet, ku pastaj komuniteti njoftohet për vendbanimin e tyre.

Ata janë nën kontroll të plotë dhe kanë emra,  tek e fundit është çështje e interesit publik.

Pse nuk po e marrim edhe ne këtë shembull, ku qëndron problemi, a kemi ne statistika për këta njerëz, kush janë ata që po i dhunojnë fëmijët tanë?

Në suaza mentale, dhunuesit janë psikopatë klasikë, sipas teorisë së psikologjisë dinamike janë persona me ID-shumë hipertrofike pra, me sferë shumë të fuqishme instinkti në strukturën e personalitetit të tyre gjë që është absolutisht e saktë.

Neni 204: “…Kush e detyron në marrëdhënie seksuale femrën me të cilën nuk jeton në bashkësi martesore, me anë të kërcënimit serioz për të ose të afërmin e saj do të zbulojë diçka që do ta dëmtojë nderin e saj ose autoritetin, ose me kërcënim serioz me ndonjë të keqe tjetër të madhe, do të dënohet…”

A kemi ne koordinim në mes të institucioneve të sigurisë, a kemi koordinatorë/e që koordinon punët, posaçërisht ne institucionet e sigurisë, një koordinatorë/e i të gjitha institucioneve të sigurisë, që fjala e tij do te ishte AMIN.

Ku është koordinatori/ja shqiptar/e i quajtur Eliot Nes (Agjenti Special), i paanshëm, profesionist trim dhe apolitik) që aq shumë po e presim, kam shkruar për të me 14.02.2021/ (Nevojat tona imediate ne aspektin e sigurisë) po në këtë Gazetë/Portal të respektuar. Pa një Eliot, që i koordinon punët në mes të institucioneve të sigurisë nuk ka përparim dhe pikë.

Ku është Xhiovani Falkone (që është autonom në profesionin e vet), edhe për të kam shkruar më 14.02.2021, ku është trimi, që do t’i ndiqte kriminelët dhe nuk do t’i linte rehat as në gjumë, kaluan 21 vite dhe ne nuk e kemi një Xhiovani ende.

Ku është trimi shqiptar që quhet Falkone, që vetëm kur do t ‘përmendej emri i tij, do të tmerroheshin kriminelët e të ngjashëm.

Shtimi i krimit sot paraqet kriterin më sinjifaktiv të çrregullimit shoqëror.

Kjo manifestohet më së shpeshti me krizën e përgjithshme morale, por edhe me krizën e vet sistemit juridik.

Klima e anemisë sociale dhe mungesa e mekanizmave adekuatë juridikë krijon ndjenjën e rrejshme të sigurisë formale të njerëzve, e në realitet gjeneron ndjenjën e paprekshmërisë ligjore për individët të cilët bëjnë krim.

Faktorin  tjetër në vargun e shumë faktorëve, do të mund ta quanim thjesht faktor ekonomik. Sipas këtij faktori, akti i krimit në asnjë rast shoqërinë nuk e lë të qetë.

Ekzistojnë disa arsye për këtë pohim.

Arsyeja themelore qëndron në faktin se krimi paraqet barrë të madhe për bashkësinë, jo vetëm për shkak të një aparati të tërë hetues dhe institucioneve të tjera që duhet vënë në lëvizje për t’u zgjidhur të gjitha veprat kundërligjore.

Efikasiteti i policisë

Në këtë vend do të ishte e rëndësishme që të ceken edhe disa faktorë që ndikojnë në ngritjen e shkallës së efikasitetit të veprimit të strukturave policore e të cilët në masë të madhe ndikojnë në kryerjen efektive të aktiviteteve preventive policore.

Faktorët më të rëndësishëm që kanë të bëjnë me efikasitetin e punës preventive të policisë janë:

  • Ndihma qytetare, aftësia kadrovike, përgatitja teknike, shkalla e korrupsionit të brendshëm, arsimimet dhe specializimet e vazhdueshme, sistematizimi i njësive organizative, bashkëpunimi ndërkombëtar, bashkëpunimi me sektorin privat të sigurisë (agjencitë e sigurimit).

Prokuroria

Prokuroria është organ shtetëror, e cila së bashku me gjykatën e bën themelin e sistemit gjyqësor të çdo shteti.

Prokuroria është edhe organ shtetëror i cili emërohet me ligj për luftimin e kriminalitetit sepse përveç rolit të mbrojtjes së ligjit dhe të kushtetutës kjo është përgjegjëse edhe për ndjekjen e personave fizikë dhe juridikë të dyshuar për vepër penale.

Pikërisht në këtë funksion reflektohet edhe karakteri represiv i aktivitetit të këtij organi gjyqësor.

Prokurori në procedurë penale vepron në rol të dyfishtë.

Së pari prokurori vepron si organ shtetëror për zbulimin dhe ndjekje e kryesit të veprës penale.

Në rastin e dytë ai ka funksionin e palës në procedurë dhe ka të njëjtat autorizime sikurse edhe pala e kundërt (i dyshuari i akuzuari) gjë që është në pajtim me normat ligjore mbi pozitën e barabartë të palëve në procedurë.

Për ne këtu me këtë rast është më interesant roli i parë.

Zgjidhja e gjyqtarëve

Kujdesi që duhet t’i kushtojnë institucionet kompetente meritore shtetërore zgjidhjes dhe emërimit të gjyqtarëve luan një rol kyç në zinxhirin shkakor të politikës së luftimit të kriminalitetit.

Individët të cilët pretendojnë që t’i hyjnë ushtrimit të funksionit të gjyqtarit duhet t’i plotësojnë jo vetëm kriteret profesionale dhe kadrovike por edhe kriteret e rrepta morale, humane dhe duhet të jenë TRIMA.

Në të gjitha organet e shërbimit të sigurisë, pra edhe në strukturat e policisë, veprimtaria operative përbën bazën e veprimit të tyre.

Kështu, në bazë të të dhënave të grumbulluara në praktikën e përditshme, të cilat i dorëzohen policisë, krijohet hapësira për hulumtime të formave të përshtatshme të veprimit dhe gjetjes së zgjidhjeve më optimale për realizimin e problemeve operative.

Pa shpejtësinë, saktësinë dhe efikasitetin e nevojshëm të grumbullimit të të dhënave, si dhe pa grumbullimin me kohë të tyre, ato e humbin çdo vlerë operative a vlerë tjetër.

Prandaj, pa komponentë të zhvilluar operativë nuk ka garanci për aktivitet të planifikuar në të gjitha nivelet e hierarkisë, nuk ka disiplinë të nevojshme operative për shfrytëzimin e njohurive, metodave dhe mjeteve më të reja, dhe as pasqyrë të situatës operative, me të gjitha aspektet që mund të ndikojnë në hulumtimet e mëtejshme kriminalistiko-informative.

Shkaqet e kriminalitetit duhet t’i kërkojmë në faktorët e përgjithshëm të ecurive shoqërore (ekonomike, politike, sociale). Mirëpo nëse dëshirojmë ta kuptojmë kriminalitin si dukuri individuale, duhet t’i kërkojmë në ato karakteristika specifike psikologjike dhe sociale të individit të caktuar.

Po kthehem prapë në fillim që ta përfundoj këtë shkrim:

Pa një koordinator (Eliot Nes) dhe pa një trim (Xhiovani Falkone) nuk ka përparim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Muharrem Brahim Avdulli nga Likoshani, komuna e Drenasit, shpall të…