Verbëria politike dhe militantizmi ekstrem në Kosovë
Shkruan: Festim Z. Hoti
Në kulturën politike të Kosovës, ku militantizmi dhe qasjet polarizuese shpesh dominojnë diskursin publik, duke lënë pak hapësirë për debat racional dhe konstruktiv.
Kjo tendencë është e rrezikshme, jo vetëm për demokracinë në vend, por edhe për procesin e konsolidimit institucional dhe përçarjet shoqërore.
Ramush Haradinaj është një figurë që, pavarësisht ndasive politike apo perceptimeve individuale, mbetet një nga kontribuesit kryesorë në luftën për liri dhe shtetformim të Kosovës. Çdo tentativë për ta delegjitimuar atë, për ta reduktuar në epitete apo për ta njollosur si armik për interesa afatshkurtra politike, është një gabim strategjik dhe moral.
Militantët e një segmenti politik, përfshirë ata që përkrahin Vetëvendosjen, duhet të kuptojnë se historia e Kosovës nuk është pronë e një partie apo individi të vetëm. Qasja për ta përjashtuar një pjesë të rëndësishme të elitës së luftës nga debati publik, duke e paraqitur si të korruptuar apo të paaftë, nuk ndihmon në ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe demokratike. Përkundrazi, ajo polarizon më tej shoqërinë.
Disa përkrahës të Albin Kurtit kanë krijuar një narrativë sikur ai është lideri i vetëm që mund të shpëtojë Kosovën. Ky mit është kundër çdo fryme demokratike dhe të rrezikshëm për një shoqëri të lirë. Heroizimi i figurave politike pa kritika dhe pa analiza të rezultateve konkrete sjell stagnim dhe autoritarizëm.
Në vend që të diskutohet mbi rezultate dhe programe konkrete, debati politik reduktohet në fyerje dhe sulme personale, duke e zhveshur atë nga substanca.
Kur vetë qytetarët e Kosovës e degradojnë diskursin publik dhe përçajnë shoqërinë, ata i japin hapësirë Serbisë që ta shfrytëzojë këtë dobësi për interesa të veta strategjike.
Militantët e Vetëvendosjes, si çdo grup ekstrem brenda një partie politike, duhet të kenë parasysh se përçarja e brendshme e shoqërisë shqiptare është dhurata më e madhe që mund t’i japin Serbisë.
Përqendrimi i tyre në delegjitimimin e elitave të tjera politike, përfshirë ata të luftës, është një hap prapa për konsolidimin e shtetit dhe unitetin kombëtar.
Boll moooo…!
Figura si Ramush Haradinaj nuk mund të trajtohen si të pavlera vetëm për shkak të divergjencave politike. Historia e Kosovës është një mozaik ku të gjithë kanë luajtur një rol.
Militantët e LVV-së shpesh e reduktojnë suksesin e qeverisë në një narrativë bardh e zi, ku çdo kritik është armik dhe çdo problem është faji i qeverive të kaluara. Kjo qasje nuk prodhon politika efektive, por vetëm një klimë armiqësore.
Debat konstruktiv dhe gjithëpërfshirës: Elitat politike dhe qytetarët duhet të fokusohen te rezultatet dhe politikat që ndihmojnë zhvillimin e vendit, jo te përçarjet e kota.
Figura si Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e Albin Kurti apo të tjerë nuk duhet të jenë as të shenjtëruar, as të poshtëruar. Ata duhet të kritikohen dhe vlerësohen bazuar në punën e tyre konkrete.
Partitë politike, përfshirë LVV-në, duhet të punojnë për të edukuar përkrahësit e tyre që të promovojnë kulturën e dialogut, jo të urrejtjes.
Jeta politike na ka mësuar se që nga pas lufta e deri më sot nuk ka lider politik në Kosovë që s‘ka bërë gabime të mëdha politike duke përfshirë edhe Albin Kurtin.
P.S
Sulmet ndaj krahut të luftës, ndaj figurave historike dhe përçarja brenda shoqërisë shqiptare janë simptoma të një sistemi politik të polarizuar dhe të paqëndrueshëm. Militantët e LVV-së, si dhe të çdo partie tjetër, duhet të kuptojnë se besnikëria ndaj Kosovës dhe prosperitetit të saj është më e rëndësishme sesa përulja e kundërshtarëve politikë. Asnjë qeveri nuk duhet të jetë përjetësisht hero apo përjetësisht armik. Demokracia kërkon kritikë, por ajo duhet të jetë e drejtë dhe e argumentuar.
Personalisht pavarsisht kush fiton,ia urojë nga zemra duke i dëshiruar punë të mbarë në ndërtimin dhe avansimin e Republikës në BE dhe NATO.
#besonëdemokraci
#festimhoti