Verë e nxehtë për basketbollin e Kosovës

25 qershor 2019 | 10:17

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) gjatë kësaj vere do të ketë shumë aktivitete. Përfaqësuesja 3X3, Kosova A te meshkujt, si dhe Kosova U-20, U-18, U-16, në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave do të marrin pjesë në gara të rëndësishme ndërkombëtare.

Në lidhje me të gjitha këto aktivitete në konferencë për medie kanë folur sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe drejtori i përfaqësuesve, Granit Rugova. “Aktivitetet do t’i hapim me pjesëmarrjen e Kosovës në 3X3, ku është hera e parë që marrim pjesë në garat e FIBA-s në gara të tilla. Pas kësaj fillon Kampi Nacional nga 7 deri më 20 korrik në Suharekë, ku kampi do të ndahet në dy pjesë, vajzat U-13 dhe U-14, e më pastaj djemtë U-13 dhe U-14. Synimi është t’i nxjerrim talentet e së ardhmes. Më pas kemi gjashtë përfaqësuese që do të marrin pjesë në Kampionate Evropiane, Divizioni B, duke nisur me U-18 femrat dhe duke e mbyllur me U-16 femrat. Një nga ngjarjet kryesore gjatë kësaj vere do të jetë organizimi i Kampionatit Evropian U-20 te femrat, Divizioni B. Ky kampionat organizohet në Prishtinë, nga 3 deri më 11 gusht, ku marrin pjesë 12 shtete. Ky është hapi i parë për ta nderuar Përfaqësuesen A të Kosovës në konkurrencën e femrave, ku synojmë të marrim pjesë në kualifikimet për Kampionatin Evropian të shteteve të vogla”, ka thënë Dushku.

“Sa i përket organizimit, ne jemi duke bashkëpunuar me Ministrinë e Sportit që na ka ndihmuar jashtë mase, pastaj me Komunën e Prishtinës dhe FIBA-n. Punimet në palestrën ‘1 Tetori’ po shkojnë shumë mirë, kurse edhe Pallati i Rinisë dhe Sportit do të jetë i gatshëm me disa intervenime të vogla. Kemi marrë përvojë nga organizimi i Kampionatit Evropian, Divizioni C, në Prishtinë, por për Divizionin B, kërkohen kritere më të larta. Kurse sa iu përket përgatitjeve për ndeshjet e Kosovës A në Mitrovicë më 7 dhe 14 gusht, aty paksa çalojmë, sepse aty kërkohen intervenime më të mëdha. Nëse Ministria e Sportit dhe Komuna e Mitrovicës nuk na ndihmojnë, atëherë duhet të bëjmë improvizime. Ne kemi përvojë me improvizime, por duam të investojmë në palestër, në mënyrë që pajisjet të mbeten në palestër dhe shpresojmë se do të kemi ndihmë nga institucionet e Kosovës”, ka deklaruar Dushku.

Ndërsa Granit Rugova ka folur për Përfaqësuesen A si dhe turneun e Kosovës U-20 në Maqedoninë Veriore. “Kemi hyrë në fazën finale të stërvitjeve, ku tri grupmosha janë vendosur në Prishtinë dhe më pas do të akomodohen edhe tri të tjera. Në mesin e muajit korrik do të grumbullohet edhe Kosova A, ku para ndeshjeve me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe do të zhvillojë edhe tri takime miqësore. Ndërkohë, ndeshjet miqësore të Kosovës U-20 kanë qenë të mirëseardhura. Edhe pse nuk mund të jemi të kënaqur me rezultatet, këto takime i shërbejnë për t’u përgatitur sa më mirë për Evropian. Kosova U-20 ka edhe tri javë kohë që të përgatitet sa më mirë për Evropianin në Portugali. Vullneti te këta djelmosha është shumë i madh dhe besoj shumë në këtë përfaqësuese”, ka thënë Rugova.

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përsëriti vendimin e tij për…