Verifikimet për serbët e “papërshtatshëm” të Kosovës
Ndalimi dhe intervistimi i politikanëve të caktuar serbë në vendkalimin kufitar në Merdare nga ana e organeve serbe, ka për qëllim frikësimin e kundërshtarëve politikë të Listës Serbe dhe e gjithë kjo nuk shkon në favor të bashkësisë serbe, e as vetë shtetit të Serbisë, vlerësojnë përfaqësues të serbëve të Kosovës dhe njohës të zhvillimeve politike.
Më herët, në disa raste, në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi, autoritetet serbe i kanë intervistuar për orë të tëra pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por tashmë është bërë e dukshme që të njëjtën gjë po e bëjnë edhe me politikanët serbë, të cilët nuk i takojnë Listës Serbe.
Që nga dhjetori i vitit të kaluar, në Merdare janë ndaluar dhe janë intervistuar Slobodan Petroviq, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, si dhe bashkëpunëtorët e tij, Boban Stankoviq, zëvendësministër i Kulturës në Qeverinë e Kosovës dhe Nebojsha Jakovljeviq, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës. Intervistimet kanë zgjatur për orë të tëra.
Partia e Pavarur Liberale, e cila këto ditë shënon 13-vjetorin e veprimtarisë politike në Kosovë, deri në formimin e Listës Serbe, ka qenë një nga partitë kryesore serbe. Aktualisht, në Kuvendin e Kosovës ajo përfaqësohet me një deputet, ndërkaq që në Qeveri ka dy zëvendësministra.
Në një bisedë me “Radion Evropa e Lirë”, kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Slobodan Petroviq, ka thënë se punon në përputhje me ligjet, që puna e tij është e njohur për opinionin dhe se nuk ka se çfarë të fshehë. Rrjedhimisht, siç thotë ai, është i gatshëm që t’i përgjigjet çfarëdo ftese të institucioneve zyrtare të Serbisë. Megjithatë, intervistimi disa orësh i anëtarëve të kësaj partie, në vendkalimin kufitar në Merdare nga ana e Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA), sipas tij, qartësisht flet për presionin politik ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe.
“Nuk u legjitimuan, por unë isha në hapësira të policisë në vendkalim kufitar. Njerëzit me uniforma ishin me mua, përderisa nuk kanë ardhur dy djelmosha. Më duhet të them që kanë qenë mjaft korrekt dhe e kam pasur ndjesinë që në një mënyrë edhe për ta ka qenë e pakëndshme për pozitën në të cilën gjendeshin. Për mua ishte e çuditshme që pyetjet kanë qenë të zakonshme për gjëra që janë mjaft të njohura dhe që mund të dëgjohen për çdo ditë. Në përgjithësi, si është situata, a do të formohet ose jo ushtria, për sigurinë, etj. Ajo që në të gjitha rastet ishte e përbashkët për njerëzit e Partisë së Pavarur Liberale, ka qenë se të gjithëve na është bërë një pyetje e njëjtë, se a do të hynim ne në Qeverinë e Kosovës në rast se Lista Serbe del nga kjo Qeveri. Mendoj që pikërisht kjo ka qenë esenca e gjithë atij maltretimi. Vlerësimi i tyre është që vetëm Partia e Pavarur Liberale mund të zëvendësojë Listën Serbe në Qeveri”, ka thënë Petroviqi.
Ai sqaron që pjesëmarrja e e tyre në ekzekutiv është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, prandaj partia e tij aktualisht ka dy zëvendësministra.
Petroviqi ka theksuar se deri më tash nuk ka marrë përgjigje nga organet serbe se pse përfaqësuesit serbë të kësaj partie janë subjekt i intervistimeve. Kjo, sipas tij, tregon për presionin politik dhe frikësimin e politikanëve, por edhe anëtarëve të ardhshëm të mundshëm të kësaj partie.
“Në qoftë se ata kanë menduar që në këtë mënyrë të më frikësojnë mua ose neve që jemi në udhëheqje, atëherë kanë gabuar rëndë. Ata nuk e njohin mirë serbin e Kosovës. Ne e kemi mentalitet që është pak më ndryshe, sepse nëse dikush në at mënyrë sillet me ne, kjo nxitë dëshirë më të madhe dhe efekt të kundërt. Në anën tjetër, sigurisht që lë shije të hidhur, për shkak se ata që duhet dhe janë deklaruar të të mbrojnë, pikërisht nga ata ke probleme. Gati se jam i sigurt se kjo më shumë do t’i dëmtojë ata dhe dëmi tashmë është bërë mjaft i madh edhe ndaj bashkësisë, e cila në njëfarë mënyre është degraduar dhe kjo nuk është e këndshme për askënd”, është shprehur Petroviqi.
“Radio Evropa e Lirë” nuk ka marrë informacion nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe nga Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA) se pse anëtarët e Partisë së Pavarur Liberale janë ndaluar në Merdare.
Njohësi serb i çështjeve politike në Kosovë, Rangjel Nojkiq, ka theksuar se është e papranueshme mënyra me të cilën organet serbe po provojnë që të arrijnë deri tek informatat e caktuara, përmes pjesëmarrësve në institucionet e Kosovës.
“Nuk është kjo mënyra me të cilën do të duhej të punohej dhe mendoj që kjo i dëmton shumë serbët dhe bashkësinë serbe, por edhe Republikën e Serbisë”, ka thënë Nojkiqi.
Ai ka shtuar se në momentin e sjelljes së vendimeve të rëndësishme për marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, është e nevojshme që të arrihet deri te konsensusi politik ndërmjet serbëve, sepse funksionimi i tyre i ndarë nuk është në favor të kësaj bashkësie.
Megjithatë, Slobodan Petroviqi ka thënë se partia e tij deri më tash nuk ka pasur mbështetjen e Serbisë dhe se bashkëpunimi in tyre me Listën Serbe nuk ekziston, si dhe që mjaft pjesëtarë të mëhershëm të partisë së tij, shpeshherë janë etiketuar si “tradhtarë të brendshëm”. Siç tha ai, partia e tij ka besuar që pjesëmarrja e serbëve në institucionet e Kosovës është mënyra e vetme dhe më e mirë që të mbrohen interesat be bashkësisë serbe.
“Pas shtatë vjetësh, pra në vitin 2016, Qeveria e Serbisë e pati pranuar atë pikëpamje dhe atëherë Zyra për Kosovën na pati dërguar letër, në të cilën kishte shprehur falënderimin, duke theksuar që roli ynë ka qenë mjaft i rëndësishëm”, ka thënë Petroviqi, duke aluduar në letrën, të cilën më 29 janar të vitit 2016, e kishte pranuar nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, të cilën letër e ka parë “Radio Evropa e Lirë”.
Në letër, me rastin e 10-vjetorit të ekzistencës së Partisë së Pavarur Liberale, Gjuriqi ka theksuar që qëllimi programor i Partisë së Pavarur Liberale, i para 10 vjetëve, për lidhjen e fijeve të këputura në marrëdhëniet serbo-shqiptare, “sot është në qendrën e programeve politike të të gjitha partive më të mëdha të serbëve në Kosovë, por edhe në programin e Qeverisë së Serbisë”.
Partia e Pavarur Liberale, gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, kishte pranuar thirrjen e Qeverisë së Serbisë që të jetë në të njëjtën listë zgjedhore me Listën Serbe dhe nga 9 deputetët e zgjedhur, 4 ishin nga Partia e Pavarur Liberale.
Por, Petroviqi ka sqaruar se ata deputetë shumë shpejt kishin kaluar në Listën Serbe. Pas kësaj, këto dy rryma politike i ishin qasur të ndara zgjedhjeve të ardhshme.
Petroviqi sot është deputeti i vetëm i Partisë së Pavarur Liberale në Kuvendin e Kosovës.