Veriu, Kurti takon Abbottin: Sundimi i ligjit duhet të jetë parimi bazë për të ecur përpara
Kryeministri Albin Kurti pas telefonatës me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, ka takuar ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.
Së bashku diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks situatën e fundit në veri të vendit, rëndësinë për deeskalim të plotë dhe rrugën përpara.
Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti ka theksuar se sundimi i ligjit duhet të jetë parimi bazë për të ecur përpara.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti citohet të ketë thënë se vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen.
Kryeministri Kuti ka falënderuar ambasadorin Abbott për angazhimin dhe bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm në thellim dhe fuqizim të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.