Veriu, qasja nga aspekti i sigurisë
Shkruan: Arben Dashevci
Për Mitrovicën dhe problemet e saja në aspektin e sigurisë flet e tërë Kosova, flet e tërë bota, sepse është qendër e vëmendjes tash e 21 vite.
Po flasin edhe sot dhe po japin mendimet e tyre.
Të gjithë flasin për qytetin tim. Kanë edhe të drejtë, sepse edhe kjo pjesë është Kosovë, por që me shumë probleme dhe sidomos me ato të aspektit të sigurisë.
Problem kemi me Serbinë!
Ne kemi problem të drejtpërdrejtë me Serbinë dhe me strukturat e saja ilegale të instaluara në Kosovë, ku secili sulm dhe përpjekje për destabilizim, është direkt dhe publik.
Ku qëndron problemi:
Është veriu i Kosovës që më shumti flitet e përflitet, analizohet nga analistët që flasin shumë, flasin me të drejtë por në veri kanë qenë shumë pak ose fare hiq. Në fund problemet nuk kanë mbarim…
Kronologji të shkurtër
Nëse unë e theksoj vetëm problemin e tanishëm, pra RECIPROCITETIN e në këtë rast -Targat dhe nuk e jap një kronologji shumë të shkurtër për ngjarjet prej fillimit deri ne mbarim, atëherë do t’i hyj në hak njerëzve që vuajnë tash e 21 vite. -Prandaj, duke qenë edhe mitrovicali, nuk mundem pa i përmendur.
Problemet kanë filluar menjëherë pas luftës më 1999, kulmi i problemeve të para është: Tmerri i paharrueshëm për të gjithë ne, ishte 3 dhe 4 shkurti i vitit 2000, ku 10 shqiptarë u vranë, 25 u plagosën dhe 1564 familje u dëbuan nga banesat e tyre nga serbët, pra nga një grup paramilitaresh serbë të njohur si “Rojet e Urës” në veri të Mitrovicës.- Rreth 12,000 të tjerë u detyruan të linin shtëpitë e tyre në pjesën matanë lumit të qytetit dhe u shpërndanë ashtu siç mundën në tërë Kosovën. Më së shumti u zhvendosën në Prishtinë.
Tek ne në Mitrovicë asokohe ndodhi një agresion në një vend që ishte nën protektoratin ndërkombëtar!…
Agresioni
Si pasojë e akteve që ndodhën në ato ditë të kobshme, nga ato sulme ndodhi invazion mbi popullsinë dhe territorin e shtetit, si dhe okupim e aneksim i pjesëve apo tërësive të territorit.
Pësuam ne, familjet tona, humbëm të afërm, pronën tonë në shtetin tonë, e që po e ritheksoj se në atë kohë kemi qenë nën protektorat. Sa për informatë, siguria personale dhe e pronës është e garantuar me Kushtetutën tonë dhe ligjet ndërkombëtare , realizohet si e drejtë personale, liri e qytetarëve dhe e sigurisë së tyre ekonomike.
Gjithsecili le të mendon në qetësi, jo vetëm me zemër por edhe me mendje, se çka na ndodhi, kush na e bëri, çfarë dhe sa mësuam nga kjo!
Ku janë përgjegjësitë – sepse krimi i rëndë nuk vjetërsohet kurrë. –Çfarë veprime do të ndërmerren për këtë tragjedi që ishte sulm ndaj trupit dhe pronës, gjithsecili lë të mendoj veç e veç se ku jemi dhe kur do të veprojnë organet tona për zbardhjen e rastit dhe rasteve tjera makabër si kjo tragjedi.
Pas kësaj tragjedie të kobshme sulmet nga grupe të ndryshme paramilitare Serbe të veshur në petkun e civilit të organizuar perfekt, nuk janë ndalur kurrë dhe kanë qenë të përditshme dhe të gjitha këto sulme janë bërë në sy të bashkësisë ndërkombëtare të instaluara në Kosovë, ku veprime nuk ka pasur fare hiq, ndërsa kriminelët enden në liri e viktima mbesim ne, shqiptarët.
Problemet e njëpasnjëshme kanë kulmuar me trazirat e Marsit të vitit 2004.
Trazirave që shpërthyen në gjithë Kosovën, ishte kur u njoftua se në Ibër ishin mbytur dy fëmijë (fshati Qabër), si pasojë e dhunës së serbëve, por që shkaku i kësaj tragjedie asnjëherë nuk u sqarua plotësisht.
Më 17 mars 2004, filluan trazirat që më vonë do të përmenden si “Trazirat e marsit.
Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona, po atë natë treguan para kamerave se ata ishin ndjekur nga serbët dhe se ata ishin duke ikur kur disa nga bashkëmoshatarët e tyre u mbytën në lumë.
Të nesërmen, më 17, mars filluan protestat në shumë qytete të Kosovës, të cilat shpejtë eskaluan në dhunë, dhe siç dihet më së shumti e pësoj Mitrovica.
Dhunës i parapriu një gjendje shumë e rëndë sociale- ekonomike, pasiguri totale fizike për qytetarët, moszgjidhja e statusit politik të Kosovës, ndërhyrja direkte e Serbisë në Kosovë e pa penguar nga askush, kurse ne ende në protektorat ndërkombëtar në atë kohë.
Këto trazira zgjuan nga gjumi shumë vendimmarrës.
-Të gjithë e kuptuan se shumë pak në Kosovë mund të përmirësohet pa zgjidhjen e statusit përfundimtar.
Pas trazirave, ura u mbyll. -Njerëzit që duhet ta kalonin atë, duhet të ndalonin në një postbllok të KFOR-it që identitetet e tyre të vërtetoheshin.
Por, problemet në aspektin e sigurisë ishin të njëjta dhe vazhdonin…
Filluan lëvizjet për Pavarësinë e Kosovës
Dhe në Fushë-Krujë të Shqipërisë, presidenti Amerkian Xhorxh. W. Bush dha paralajmërimin e parë, me fjalët ka ardhur koha që Kosova të bëhet Shtet.
Pavarësia
Me 17.02.2021, Kosova shpalli pavarësinë. Por, problemet në Mitrovicë nuk ndaluan. -Qyteti mbeti i ndarë dhe problemet vazhdonin derisa e gjithë Kosova i gëzohej pavarësisë dhe festonte (edhe ne festonim) mirëpo ne ende i kishim problemet dhe hallet njëjta.
Dhe, në vitin 2011, tre vjet pasi Kosova shpalli Pavarësinë e saj, pati një shpërthim të mëtejshëm të dhunës .
Në korrik të vitit 2011, Policia e Kosovës mori kontrollin e dy pikave kufitare Kosovë-Serbi në veri, në Jarinjë (porta 1) dhe Bërnjak (porta 31), duke shkaktuar zemërim në komunitetin lokal serb, dhe të shtetit fqinj, Serbisë.
Ndërsa tensionet rriteshin, Policia e Kosovës u sulmua, dhe një Polic i Kosovës u vra. Dy nga serbët e dyshuar për vrasje, më vonë u liruan nga akuzat.
Rreth 16 barrikada u ngritën nga serbë lokal në shenjë proteste kundër një vendimi të qeverisë së Kosovës për të vendosur personel doganor, pra për të vendosur rend dhe ligj në pikat kufitare me Serbinë.
Kriminelët e ashtuquajtur “Rojet e Urës” ndërtuan një barrikadë të madhe prej guri dhe rëre në urën mbi Ibër, duke parandaluar kështu lëvizjen e lirë të automjeteve.
Barrikada u hoq më në fund në qershorin e vitit 2014, por ajo u zëvendësua menjëherë me një të ashtuquajtur “Parku i Paqes”, i bërë kryesisht me dru halorë të mbjellë në vazo të mëdha prej betoni.
Krejt këto veprime të dirigjuara ne Serbia, me strukturat kriminale të instaluara matanë lumit.
Pengesa e re e serbëve shkaktoi protesta të reja mu në urën e Ibrit disa prej të cilave u bënë të dhunshme, me disa persona të plagosur dhe automjete të shumta të djegura.
I ashtuquajturi “Parku i Paqes”, u hoq në gushtin e vitit 2016, kur filloi renovimi i urës, pasi u arrit si pjesë e bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat synonin normalizimin e marrëdhënieve.
Rinovimi u financua nga BE-ja me një kosto prej më shumë se 1.2 milion eurosh dhe kishte për qëllim të lehtësojë kontaktet midis banorëve në veri dhe jug të qytetit.
Ura duhej të hapej si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet, por kjo u shty për shkak të rritjes së një tensioni të ri, pasi autoritetet lokale serbe filluan ndërtimin e një muri nga betoni dy metra të lartë pranë urës!
Edhe pse autoritetet serbe thanë se ai ishte një mur mbështetës për një shëtitore pranë lumit, për Kosovën u pa si një përpjekje për të parandaluar lëvizjen e lirë dhe urdhëruan ndalimin e punës për ndërtimin e tij.
Ura edhe në ditët e sotme, nuk është e hapur për qarkullimin e automjeteve dhe askush nuk e di se kur do të ndodhë hapja e saj.
Ne mbesim me shpresën që gjeneratat e reja të ardhshme do ta përjetojnë atë ditë me një hapje solemne!…
Vazhdimësia e problemit tonë direkt me Serbinë
Reciprociteti:
Tash derisa jam duke e shkruar këtë shkrim, është dita e nëntë e vendosjes së reciprocitetit nga ana e shtetit të Kosovës (Targat).
Derisa Serbia po e tregon fytyrën e vet, djemtë tanë, luanët tanë, janë atje, në kufi. Po i kryejnë detyrat e veta operacionale me përpikëri dhe me profesionalizëm të pashoq.
Prej Jarinjës (porta 1) dhe Bërnjakut( porta 31), po mundohen të futen në çdo mënyrë shërbimet sekrete, Serbo –Ruse, disa prej tyre veç se janë të identifikuar nga organet tona të sigurisë dhe janë mu ata të involvuarit në ngjarjet e Malit të Zi (tentim grusht shteti) dhe në Maqedoninë Veriore (incidentet në Parlament me shpresën e mbani mend këtë ngjarje).
Pra organet tona të sigurisë, e dinë kush janë ata dashakeqës dhe e dinë qëllimin e tyre.
Ata me vete patën pajisje kibernetike. Qëllimi i tyre dihet dhe nuk do edhe shumë logjikë. Pra për qëllim kanë destabilizimin dhe kaosin total, që bashkësia ndërkombëtare të veproj, ndërsa moto e tyre është viktimizimi.
Luanët tanë, Policia jonë, po kundër-përgjigjet me profesionalizëm dhe gjakftohtësi maksimale, edhe pse provokimet nuk kanë të ndalur.
Nga ana jonë, po zbatohet diçka që është legale, ligjore dhe legjitime, po veprojmë drejt dhe kemi vigjilencën maksimale. KFOR (Reaguesi i tretë/Third respeonding) dhe Eulex(Reaguesi i dytë/Second respeonding) po monitorojnë çdo lëvizje.
Policia e Kosovës (Reaguesi i parë/ First responding)është me të drejtën dhe po e zbaton atë në teren, po vazhdojmë të veprojmë si shtet.
Serbia e dinë mirë që nuk mundë të na sulmoj, këtë e dimë edhe ne dhe për këtë nuk po shpenzojë më shumë fjalë pos që po them KFOR/NATO, është këtu dhe mjafton.
Forcat e tyre të sigurisë po sillen dhe pështillen afrohen dhe largohen nga kufiri, qojnë në qiell helikopterët e tyre sa lartë e sa poshtë, dhe gjëra tjera teatrale ,por janë në territorin e vet, dhe për sa qëndrojnë në territorin e vet, le te vazhdojnë me teatrin e tyre, kjo nuk na pengon, e kanë për konsumin e tyre të brendshëm, tek e fundit jemi të mësuar me kësi lloj gjërash teatrale të tyre.
KFOR/NATO është këtu(Reaguesi i tretë/Third responding)) së bashku me forcat tona të sigurisë(Reaguesi i parë/first responding), dhe po e vëzhgojnë situatën janë vigjilent si kurrë më parë, sepse jemi shumë më të fortë se përpara ,koordinimi ka qenë dhe është për lakmi.
Dhe reagimi vjen ashtu si e kërkon situata.
Policia e Kosovës ka kapacitete dhe resurse të mjaftueshme të përballojë çfarëdo situate dhe operacioni po vazhdojnë deri në urdhrin tjetër.
Neve na takon të qëndrojmë të bashkuar në këto kohëra krize, duhet urgjentisht të ndalen mospajtimet politike sepse atë edhe po e kërkon Serbia, pra përçarjen tonë.
Serbia e shfrytëzon çdo mundësi që epet dhe secilën dobësi nga ana jonë. Dihet se ata propagandën dhe viktimizimin janë duke e përdorur në maksimum, këto propaganda dhe viktimizime së bashku me përpjekjen për sabotim dhe destabilizim të plotë, po përpiqen ta arrijnë me shërbimet e tyre sekrete dhe si ndihmesë e kanë Rusinë në 24/7.
Organet tona nuk po rrinë duarkryq
Organet tona të sigurisë po e dinë qartë qëllimin e tyre dashakeq, këtu dyshim nuk ka, por dhe kthim mbrapa, nuk ka.
Vetëm përpara dhe vigjilencë maksimale, me shpresën që përfundon sa më shpejtë me një marrëveshje politike dy palëshe mes shteteve Kosovë-Serbi.
Krejt çka na nevojitet në këtë moment si klasë politike dhe si popull, është bashkimi dhe jo përçarja. Të tjerat janë duke shkuar mire, jemi shumë më të fortë se që kemi qenë në çdo aspekt dhe Serbia këtë e di.
Dhe tek e fundit edhe me këto kapacitete që kemi, ne kemi vullnetin, gatishmërinë dhe seriozitetin maksimal.
Shikoni policinë tanë, shikojeni profesionalizmin e tyre të pashoq, shikojeni qetësinë e tyre kundrejt provokimeve të shumta që kanë… –Dhe, zemra na bahet mal, secili më i zoti se tjetri secili më i matur se tjetri, pra krenohemi me ta, ata janë të gatshëm ta mbrojnë pa asnjë hezitim sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Prandaj, Bashkohuni?!
Mitrovicë 28.09.2021