Vërshime edhe në Podujevë

19 janar 2023 | 16:06

Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë bërë që disa komuna të përballen me vërshime. Nëpër disa segmente të lumenjve kryesorë janë shkaktuar edhe përmbytje të lokalizuara lumore, duke shkaktuar vështirësi dhe probleme si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore.

Komunat kanë formuar ekipet emergjente institucionale, në mënyrë që përmes koordinimit të përbashkët ta tejkalojnë këtë situatë.

Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që disa zona në komunën e Podujevës të përballen me vërshime.

“Si institucione lokale që nga mëngjesi jemi në teren duke intervenuar në zonat më të prekuara, ku momentalisht kemi katër ekipe të të cilat janë duke intervenuar në këto zona. Zonat më të prekura janë; Pakashticë, Kërpimeh, Letanc, Peran dhe Obrançë, po ashtu edhe disa rrugë janë përshkuar nga uji duke vështirësuar qarkullimin në komunikacion. Situata është e menaxhueshme, por me tendencë të përkeqësimit për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut”, ka thënë kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.

Ai ka apeluar tek të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë me ekipet emergjente institucionale, në mënyrë që përmes koordinimit të përbashkët të tejkalohet sa më shpejtë kjo situatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Era e fortë vazhdon sjell probleme në juglindje, edhe në…