Vërshimet në disa fshatra të Rahovecit, Latifi del në teren
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, mbrëmë në orët e vota, ka dalë në teren për të parë situatën në këtë komunë, ku disa fshatra kanë pësuar nga vërshimet si pasojë e reshjeve të shiut.
Me këtë rast, Latifi u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë durim, raporton “Epoka e re”.
“Në këto orë të vona, tashmë kur situata nuk është edhe aq e mirë për shkak të problemeve që po na sjellin reshjet, e sidomos në Sapniq, Fortesë, Ratkoc etj…, më lejoni t’ju informoj se jemi duke bërë çdo gjë të mundshme për t’ju dalë në ndihmë. Dy familje janë evakuuar sonte nga fshati Sapniq, poashtu edhe dy familje nga fshati Fortesë, disa familje edhe nga fshati Pataqan i Poshtëm, e tëra kjo pasi shtëpitë e tyre janë vërshuar si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut. Ndryshe, ekipet komunale të gjitha niveleve janë në terren të përgatitur për secilin intervenim të mundshëm. Ju lutem pa panik, reshjet pritet të pushojnë në orët e hershme të mëngjesit, deri atëherë kemi nevojë për bashkëpunimin tuaj që bashkë ta tejkalojmë edhe këtë situatë!”, ka thënë Latifi.