Vërshimet në Kosovë, masat parandaluese dhe qasja afatgjatë
Shkruan: Tahir Ahmeti
Vërshimet paraqesin gjendje të jashtëzakonshme ku, mes të tjerash, shkaktojnë dëme të mëdha në tokat bujqësore, dëme në ekonomitë familjare dhe biznese, mund të përkeqësohet cilësia e ujit të papërpunuar nga të reshurat, dëmtohet sistemi i kanalizimit, kontaminohen puset që furnizojnë territoret rurale me ujë të pijshëm dhe sistemi i përpunimit dhe furnizimit me ujë të pijshëm e, në raste më ekstreme, mund edhe të rrezikohet jeta e qytetarëve
Çështja e përmbytjeve apo e vërshimeve, sidomos atyre të shpejta, është një dukuri e cila çdo ditë e më shumë është duke i goditur vendet e ndryshme të botës dhe të rajonit, prandaj as vendi ynë nuk mund të ketë përjashtim nga kjo. Mbrojtja nga përmbytjet dhe parandalimi i tyre kërkojnë qasje serioze dhe afatgjatë institucionale.
Vërshimet paraqesin gjendje të jashtëzakonshme ku, mes të tjerash, shkaktojnë dëme të mëdha në tokat bujqësore, dëme në ekonomitë familjare dhe biznese, mund të përkeqësohet cilësia e ujit të papërpunuar nga të reshurat, dëmtohet sistemi i kanalizimit, kontaminohen puset që furnizojnë territoret rurale me ujë të pijshëm dhe sistemi i përpunimit dhe furnizimit me ujë të pijshëm e, në raste më ekstreme, mund edhe të rrezikohet jeta e qytetarëve.
Institucionet e Kosovës, si ato qendrore ashtu edhe ato lokale, varësisht prej përgjegjësive, nuk duhet ta presin përkeqësimin e motit dhe të reshurat atmosferike që shkaktojnë vërshime, tek pastaj të reagojnë.
Duhet të reagohet më herët dhe atë para sezonit të reshjeve, të merren masa parandaluese, duhet të bëhet rregullimi i shtretërve të lumenjve, kanaleve kulluese apo përroskave, në mënyrë që të pengohet dalja e ujit nga shtretërit, e që pastaj mund të shkaktojë vërshime, të ndalohet eksploatimi i pakontrolluar i zhavorrit, mu në shtretërit e lumenjve, që ndikon në rrjedhën normale të ujit i cili është i detyruar të dalë nga shtrati dhe të shkaktojë vërshime, të ndalohet ndërtimi i shtëpive, rrugëve dhe urave në vende që janë të rrezikuara nga vërshimet, të kontrollohen dhe ndalohen prerjet e pakontrolluara të pyjeve në afërsi të zonave vërshuese, gjithashtu edhe qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që në lumenj të mos hedhin mbeturina, ka raste ku në disa lumenj ka të hedhura edhe automjete (të vjetra), si dhe të ketë fonde më të mëdha për masat mbrojtëse.
Institucionet relevante, pas përmbytjeve kryesisht merren me pasojat, pasi të stabilizohet moti dhe të ndalen të reshurat, formojnë komisione vlerësuese për përcaktimin e dëmeve të shkaktuara, në mënyrë që të kompensohen të dëmtuarit nga përmbytjet.
Duhen masa të vazhdueshme preventive dhe parandaluese, në mënyrë që të reshurat mos të shkaktojnë përmbytje në vazhdimësi, sa herë që janë më të theksuara, pasi po shihet se ka probleme në këtë aspekt.
Gjithsesi, kur fillojnë problemet me përmbytjet, në vise të ndryshme të Kosovës, kryetarët e komunave, në bashkëpunim me agjencinë për menaxhimin e emergjencave (AME), duhet t’i vënë në dispozicion të gjitha resurset dhe t’i aktivizojnë shtabet e krizave, në mënyrë që t’i dilet në ndihmë popullatës së rrezikuar nga këto vërshime.
*Autori është njohës i çështjeve të emergjencave dhe bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC)