Vërshohet Rijeka, publikohen video dhe fotografi të përmbytjes
Kroacia është goditur dje nga një stuhi e fortë shiu që ka shkaktuar përmbytje të mëdha. Trafiku në disa pjesë të Rijekës, përfshirë pjesën më të madhe të qendrës, është i bllokuar dhe të gjitha shërbimet e urgjencës janë në terren. Shkollat, muzetë, ndërtesat e rektoratit dhe policisë, shtëpitë dhe ndërtesat në të gjithë Rijekën u përmbytën, raporton agjencia kroate e lajmeve, Index. Vetura të shumta kanë mbetur në rrugët e përmbytura.
Policia e Rijekës ka njoftuar se rreth orës 19:30 ka marrë njoftim se një burrë është gjetur në përmbytje nën një veturë. Në momentin që kishte mbërritur ambulanca, ai kishte vdekur. Trupi i pajetë është dërguar për autopsi.
“Është rruga Franje Raçki, shkon tatëpjetë në qendër të qytetit. Burri po ecte dhe meqë ishte tatëpjetë, uji e tërhoqi”, tha një banore e Rijekës për Dnevnik.hr. “Ai u rrotullua në rrugë rreth pesëdhjetë metra nën vërshimin e ujit të rrëmbyeshëm dhe u ndal nën furgon. Kur ai u përpoq të ngrihej, përrua e tërhoqi nën furgon”, shtoi ajo.
“Më pas erdhi një burrë tjetër dhe e nxorri jashtë për dhjetë minuta. Ne pamë se çfarë po ndodhte dhe thirrëm 911 dhe zjarrfikësit”, tha ajo.
Kryetari i Komunës së Rijekës, Marko Filipoviq, u ka thënë qytetarëve në profilin e tij në rrjetet sociale që të qëndrojnë në shtëpi, nëse nuk duhet urgjentisht të dalin nga shtëpia.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha shërbimet e urgjencës, njerëzit janë në terren, po punohet për heqjen e dëmeve, gjithçka që mund të riparohet për momentin dhe sa më shumë që të jetë e mundur, edhe një herë ju bëj thirrje të kem kujdes, sidomos nëse kaloni nëpër qendër”, ka deklaruar Filipoviq.
Kryekomandanti i zjarrfikësve i JVP Rijeka Inko Mance tha për RTL Direkt se zjarrfikësit mund të bënin pak në këtë situatë.
“Problemi më i madh është sasia e madhe e ujit në rrugë, prioritet është shpëtimi i njerëzve që kanë ngecur”, tha Mance.
Mance tha gjithashtu se zjarrfikësit kanë marrë një numër të madh thirrjesh për ndihmë.
Kryetari i komunës së Rijekës, Marko Filipoviq, tha se gjendja është alarmante.
“Kemi vite që nuk kemi një përmbytje si kjo, qendra e qytetit është përmbytur, është e pamundur të kalohet. Të gjitha shërbimet e urgjencës janë në terren, lavdata për zjarrfikësit dhe punonjësit e ujësjellës kanalizimeve”, tha ai.