Verstappen: Kam mësuar më shumë nga gabimet e mia
Rruga e Max Verstappen drejt katër titujve kampionë bote në Formula 1 ka qenë herë e lehtë e herë e vështirë. Piloti holandez, i cili hyri në cirkuit në një moshë shumë të re, ka konfirmuar se është një talent në këtë sport.
Gjithsesi, ai konfirmoi në pistë edhe se kishte një prirje për aksidente dhe një stil drejtimi tepër “të pamatur”, duke marrë mjaft kritikat nga kolegët e komisarët e garave. Megjithatë, duke kthyer kokën pas, Verstappen nuk e ndjen nevojën t’i japë vetes ndonjë këshillë. “Sinqerisht, nuk do të jepja vetës asnjë këshillë”, ka thënë 27-vjeçari që piloton një Red Bull në Formula 1: “Në fund të fundit, në jetë duhet të bëni edhe gabime për të ecur përpara”.
“Shpesh na duhet t’i mësojmë gjërat në mënyrën e vështirë, duke luftuar. Nëse gjithçka do të dihej paraprakisht, mendoj se do të ishte shumë e mërzitshme si në jetë ashtu dhe në garë. Sapo të bëni një gabim, kjo është e vetmja herë kur ndryshoni ose mësoni diçka. Kjo ka ndodhur edhe me mua”, ka deklaruar Verstappen.