Verstappen: Kështu e motivoj veten për të fituar sa më shumë
Max Verstappen riktheu “numrin 1” në makinat e Formula 1 vitin e kaluar, kur fitoi titullin e parë kampion bote. Duke folur për mediet, në prag të rikthimit në pistë pas pushimeve verore, piloti holandez i Red Bull shprehet se bën një punë të fortë bindëse me veten për të qenë kompetitiv në çdo garë.
“Një pilot duhet gjithnjë të jetë i bindur për aftësitë e tij, në të kundërt nuk do të ketë kurrë sukses. Edhe nëse nuk je piloti më i mirë, duhet ta futësh këtë koncept tek vetja dhe njerëzit që të rrethojnë, në mënyrë që edhe të tjerët të mendojnë kështu. Unë kurrë nuk them se nuk jam më i miri, përkundrazi”, ka thënë Verstappen. “Kujtoj vitin 2018, kur pas garës së Montekarlo në mendjen time shtypa butonin për të rinisur
gjithçka nga e para. Në ato momente mendova të hidhja poshtë gjithçka dhe ta rinisja nga e para. Që nga gara e radhës gjërat shkuan shumë më mirë. Ndaj e konsideroj veten pilotin më të mirë aktualisht në pistë dhe kjo më ndihmon për të fituar”, ka shtuar Verstappen.