Verstappen: Këtë vit pata fat
Për të katërtën vit radhazi, piloti holandez Max Verstappen shpallet kampion bote në Formula 1, një trofe i vështirë por i merituar.
Gjysma e parë e sezonit ishte ajo që i dha pilotit të Red Bullit titullin kampion, pasi në pjesën e dytë Verstappeni u përpoq më së shumti të mbrojë avantazhin e krijuar.
“Ndonjëherë je me fat në jetë. Je në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe padyshim si pilot në Formula 1 duhet të përfitosh nga e gjithë kjo. Për fat, ia dola mbanë. Katër tituj radhazi janë të pabesueshëm. Sigurisht që shpresoj të mos ndalem këtu dhe të arrij të njëjtat suksese për një periudhë më të gjatë kohore”, ka thënë Verstappen.
Më tej, holandezi ka shtuar: “Këtë vit konkurrenca ishte e madhe, këtë gjë e pres edhe vitin tjetër. Megjithatë, në vitin 2026 shumë gjëra do të ndryshojnë dhe ndoshta shumë ekipe të tjera do të jenë ende konkurruese. Tani për tani mendoj se gjëja më e rëndësishme është të shijojmë momentin dhe të jemi krenarë për atë që kemi arritur”.