Verstappen: Kjo ishte fitorja më e vështirë e sezonit, detyrova rivalët të gabonin për të triumfuar
Piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen, vendosi ditën e diele rekordin e 10 fitoreve radhazi në Formula 1. Triumfi në garën e Monza ishte i veçantë për kampionin e botës, që vijon dominimin e tij. Gjithsesi, ky sukses nuk ishte i lehtë për të, sidomos në pjesën e parë të garës, ku dueloi fort me spanjollin Carlos Sainz (Ferrari).
“Nuk e kisha besuar kurrë se do të arrija 10 fitore radhazi. Gjithsesi, suksesi i fundit në Monza ishte shumë i vështirë, u djersitëm shumë. Kishim një ritëm të mirë, menaxhuam mirë gomat, por Ferrari ishte shumë i shpejtë në vijën e drejtë. Ishte e vështirë t’i arrije e parakalojë në kthesën e parë”, ka thënë Verstappen.
“Dhashë maksimumin, duke detyruar Sainz të gabonte për ta parakaluar. Në një moment ai bllokoi fort gomat, ndërsa unë kisha një trajektore më të mirë dhe e kalova në kthesën e dytë. Më pas e pata më të lehtë të menaxhoja garën edhe pse kisha një problem me motorin në fund, por avantazhi më dha mundësi të ulja ritmin”, është shprehur Verstappen.