Verstappen: Në Suzuka për të shlyer zhgënjimin e dy javëve më parë në Australi
Gara e fundit në Australi, që u mbyll me një fitore të dyfishtë të Ferrari dhe tërheqjen e Max Verstappen, bëri që botërori i Formula 1 të jetë mjaft i ekuilibruar.
Kampioni i botës ka vetëm 4 pikë avantazh ndaj Charles Leclerc, ndaj gara e radhës në Japoni pritet me interes për të parë gjendjen e dy skuadrave. Moti mund të rezervojë disa surpriza, pasi parashikohet kohë me shi, që sigurisht nuk është diçka e re në pistën e Suzuka, ku Verstappen ka fituar dy vitet e fundit.
“Synimi është të fitojmë sërish për të shlyer zeron në Austral. Suzuka është një pistë fantastike për të garuar”, ka thënë Verstappen. “Gara e fundit në Melburn ishte e pafat dhe këto gjëra ndodhin në sportin tonë. Ne po vinim nga nëntë fitore radhazi, një seri e jashtëzakonshme. Ekipi është i sigurt për një paraqitje të mirë në pistën e Suzuka. Është një pistë ikonë dhe është gjithmonë kënaqësi të garosh aty”, ka shtuar Verstappen.
“Pista ka shumë kthesa me shpejtësi të lartë dhe degradim të lartë të gomave, ndaj duhet të sigurohemi që të optimizojmë performancën tonë aty ku është e mundur. Veçanërisht me parashikimin e shiut për këtë fundjavë. Mezi pres të kthehem në makinë dhe të jem gati të luftoj për fitore këtë fundjavë”, u shpreh holandezi i Red Bull.