Verstappen: Nëse Norris nuk shpallet kampion bote faji do të jetë i McLarenit
Gara për titullin kampion për pilotë këtë sezon do të jetë një përballje e fortë mes Max Verstappen e Lando Norris. I këtij mendimi është një ikonë e këtij sporti si Jacques Villeneuve, kampion bote në Formula 1 në vitin 1997. Madje ai beson se britaniku i McLaren ka më shumë shanse, duke parë situatën aktuale.
“Nëse Lando nuk do të shpallet kampion bote këtë sezon, atëherë do të jetë faji i McLaren dhe jo i pilotit. Ata i ngatërruan gjërat dhe tani ndoshta është tepër vonë për t’u rikuperuar. Gjithçka filloi në Hungari, ku skuadra tregoi dobësi, duke mos i dhënë përparësi Norris ndaj Piastri”, ka thënë Villeneuve.
“Situata aktuale është në favor të Lando, që i duhet gjithnjë të jetë para Max për të fituar titullin. Nuk ka për të qenë e lehtë për të dy, pasi edhe Ferrari e Mercedes do të ndërhyjnë në këtë garë, në favor të njërit apo tjetrit. Max ka përvojën e menaxhimit të situatave të tilla”, ka shtuar ish-piloti kanadez. “Max duhet të shfrytëzojë çdo situatë të dyshimtë që mund të krijohet te McLaren kur do t’u duhet të marrin vendime të diskutueshme. Tani Max e njeh Lando si një kërcënim dhe është mirë që ka konkurrencë të vërtetë. Shpresoj që edhe Perez ta ndihmojë Verstappen, për të parë një fundsezon më të bukur”, ka deklaruar Villeneuve