Verstappen: Nëse rivalët tanë kanë bërë një hap përpara, sërish jemi një hap para tyre
Red Bull Racing e ka nisur mbarë sezonin 2024 të Formula 1, me dy fitore të dyfishta në dy garat e para. Kampioni i botës Max Verstappen ka komanduar i qetë garat, duke i fituar të dyja dhe po tregon se edhe këtë sezon nuk do të ketë konkurrencë me pilotët e tjerë, madje as me shokun e tij të skuadrës.
“Menjëherë u ndjeva i qetë pas timonit të RB20. Do të thosha se makina e re është një evolucion i asaj të vjetshme. Unë e ngas RB20 më natyrshëm se sa RB19 dhe është një ndjenjë e mrekullueshme”, u shpreh Verstappen për “L’Equipe”.
“E kuptova menjëherë se ishte një makinë e shpejtë sepse ishte e ekuilibruar dhe ishte e lehtë të vendosje menjëherë një xhiro mjaft të shpejtë me kohë. Makina e vjetshme kishte vështirësi veçanërisht në pistat qytetase, ndaj makina e re është projektuar me qëllimin e qartë për t’u përmirësuar në kthesat e ngadalta”, ka thënë Verstappen.
“Natyrisht ka ende disa aspekte për të rregulluar, të gjitha makinat kanë pikat e tyre të dobëta. Ne kemi garuar vetëm në dy pista për t’i identifikuar ende qartë problemet tona, por këto janë detaje. Nëse rivalët tanë kanë bërë një hap përpara ne jemi sërish një hap para tyre”, u shpreh Verstappen.