
Verstappen: Për fitoren e parë sezonale na duhet shumë punë, por jemi konkurrues
Max Verstappen nuk arriti dot të ngjitej në podium në garën e fundit të Formula 1 zhvilluar në Kinë. Pasi u parakalua nga dy makinat Ferrari gjatë garës, ai arriti të rifitojë pozicionet, por pa mundur dot të shkojë më shumë se vendi i katërt.
Piloti i Red Bull nuk e humbi buzëqeshjen para mikrofonave pavarësisht një gare që u përmirësua vetëm drejt fundit. “Thjesht mendoj të jap gjithçka kur hipi në makinë dhe kaq. Po e shijoj jetën dhe jam shumë i qetë”, u shpreh katër herë kampioni i botës.
“Fakti që ishim të shpejtë në fundin e garës më jep pak optimizëm dhe shpresë. Sa më shumë që zgjatej gara aq më kompetitiv ishim në pistë. Gjithsesi, për fitoren do të duhej shumë punë, por ishim konkurrues”, ka deklaruar Max Verstappen.
“Tani kemi 10 ditë pushim deri në garën e radhës në Japoni. Shpresojmë të jemi më konkurrues në atë garë dhe të arrijmë të rikuperojmë disi ndaj McLaren”, u shpreh piloti holandez.