
Verstappen: Po të pilotoja një McLaren ata s’do të më shihnin as targën
Max Verstappen triumfoi ditën e diel në garën e zhvilluar në Japoni, një sukses i madh për pilotin holandez të Red Bull. Ai tregoi mjeshtëri në pistë me pilotimin e tij dhe menaxhimin e gomave, duke ditur të mbajë pas dy makinat McLaren, që kanë konfirmuar deri më tani se janë më të shpejtat.
Këtë fakt e vë në dukje vetë Verstappenin, që nuk i intereson modestia kur thotë: “As nuk dua të mendoj se çfarë do të kishte ndodhur në pistë nëse do të isha unë duke pilotuar një McLaren. Në atë rast, rivalët nuk do të më kishin parë fare”.
Një kampion që e di se ka bërë diçka të veçantë në një pistë që nuk lejon gabime, sidomos pas një xhiro të përsosur të shtunën i dha atij “pole position”. “Bëmë një garë të mirë dhe kjo fitore ka shumë rëndësi për ne. Nuk ishte e lehtë por skuadra bëri një punë të mirë”, ka deklaruar Verstappen.
Tashmë holandezi është një pikë pas Lando Norris në renditjen e përgjithshme për pilotë në Formula 1. Verstappeni po mban i vetëm në lojë makinën Red Bull, që ende nuk është në nivelin e McLaren, duke konfirmuar kandidaturën e tij për titullin e pestë kampion bote radhazi.