Verstappen, rivalëve: Mos më provokoni, mund të përfundoni keq
Karakteristikë e kampionëve të Formula 1 është se dinë të marrin më të mirën edhe kur garojnë nën presion. I tillë është Max Verstappen, që duket se emocionohet pikërisht kur shiriti i pritshmërive rritet në mënyrë dramatike.
Këtë gjë e tregoi edhe në vitin e kaluar, kur fitoi titullin e katërt për pilotë. Nëse në vitin 2023 gjithçka ishte “fushë me lule” për të, vitin e kaluar pati mjaft përballje në pistë, si me Lando Norris apo George Russell, duke pasur mjaft polemika e penalitete. Çka solli në mjaft përplasje gjatë dhe pas garave e megjithatë Verstappen nuk ndryshoi asgjë në sjelljen e tij. Kur i vihet në dukje kjo kokëfortësi, Verstappen nuk humb kohë për t’u dërguar një mesazh të fortë rivalëve të tij. “Nëse më provokoni apo më stimuloni ambicien, gjërat për mua do të shkojnë më mire dhe ju do të përfundoni keq”, janë fjalët e Max Verstappen për “Blick”.
Holandezi përsëriti se do të mbetet i njëjti pilot, edhe nëse FIA ndryshon udhëzimet në duele: “Nuk do të ndryshoj stilin tim të drejtimit. Unë di të dalloj kur e kam ekzagjeruar. Për shembull, në Abu Dhabi godita Piastrin në fillim. Nuk e kisha problem t’i kërkoja falje pas garës”.