Verstappeni fiton në Meksikë, Hamilton e Leclerc kompletojnë podiumin
Piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen, fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Meksikës në Formula 1, duke korrur suksesin e 51-të në karrierë, i 16-ti këtë sezon. Një garë e dominuar nga Verstappen, që edhe pse e nisi atë nga vendi i tretë arriti të parakalojë dy pilotët e Ferrari, që në kthesën e parë.
Holandezi e ruajti kreun edhe kur gara rinisi në mesin e saj, pas aksidentit të Magnussen, që detyroi organizatorët të valëvitin flamurin e kuq. Një garë e qetë për Verstappen, që është shpallur kampion bote. Në podium u ngjitën edhe Lewis Hamilton me Mercedes (i dyti) dhe Charles Leclerc me Ferrari (i treti).
Leclerc e nisi garën nga “pole position”, por e humbi kreun që në start dhe më pas u detyrua të hapë krahun edhe kur u parakalua nga Hamilton. Dy të parët patën një strategji me dy ndalesa, ndërsa monogasku i “kokëkuqes” ndaloi vetëm një herë, ashtu sikurse shoku i tij i skuadrës Carlos Sainz, që doli i katërti.
Ferrari nuk arriti të përfitojë nga fakti që dy pilotët e saj niseshin nga vija e parë e ndoshta strategjia me një ndalesë i penalizoi disi. Në vendin e pestë u klasifikua Lando Norris me makinën McLaren, ndërkohë që në zonën e pikëve hynë edhe Russell, Ricciardo, Piastri, Albon e Ocon. /telesport/