Verstappeni: Kjo makinë bën gjithçka që dua, është më e mirë se e vitit të kaluar
“Makina bën gjithçka që dua dhe në këtë aspekt është më e mirë se RB19”.
Këto fjalë, të shqiptuara të hënën nga piloti holandez i Red Bull Racing, Max Verstappen, rrezikojnë të bëhen refreni i një kampionati që mund t’i ngjajë shumë atij të një sezoni më parë në Formula 1. Makina austriake nuk ishte më e shpejtë në pistë në testet e Bahreinit, por kjo edhe për faktin se nuk përdori gomat e buta.
Tri herë kampioni i botës, duke vazhduar analizën e tij të testeve, theksoi se nuk kishte punuar për ta kërkuar xhiron e shpejtë.
“Në përgjithësi testet ishin shumë pozitive. Ne u fokusuam në periudhat e gjata për të kuptuar më mirë makinën dhe ishte mirë të shihje se performanca e makinës ishte shumë e fortë. Ne vendosëm të mos fokusohemi në kohën e shpejtë të xhiros, por të provojmë pjesë të ndryshme, kështu që jam i kënaqur me xhirot që bëmë”, ka thënë Verstappeni.
“Në funksion të fundjavës së garës, ka të bëjë me rregullimin e makinës dhe të shohim se çfarë na ofron gara kur e shtyjmë makinën në kufi. Tani duhet të analizojmë më mirë të dhënat dhe të përpiqemi të nxjerrim një plan për javën në vazhdim”, u shpreh holandezi. “Testet ishin shumë pozitive dhe ne mësuam shumë nga të gjitha ndryshimet që bëmë, kështu që mezi presim këtë fundjavë kur të zhvillohet gara e parë sezonale”, ka shtuar Verstappeni, duke paralajmëruar rivalët se edhe këtë vit mund të jetë i pakapshëm.