Verstappeni nuk e mohon kalimin te Mercedesi
Max Verstappen është në kontratë me “Redbull” deri në vitin 2028, megjithatë holandezi nuk e mohon një kalim te Mercedes në të ardhmen, teksa ishte vetë shefi i skuderisë gjermane, Toto Wolff ai që i “thuri” elozhe tre herë kampionit të Botës pas Çmimit të Madh të Arabisë Saudite.
“Numri 1” i Mercedes u shpreh se të gjithë do ta dëshironin në skuadër një pilot si Verstappen, e më tej i pyetur rreth këtyre komenteve, Verstappen theksoi se ka një vlerësim të madh për Wolff ndërsa shtoi se të ardhmes nuk i dihej kurrë.
“Për mua është një kënaqësi të dëgjoj fjalë të mira nga Wolff, megjithatë unë nuk ndikohem nga këto komente për të ardhmen. E respektoj shumë Wolff, pavarësisht disa “përplasjeve” në të kaluarën. Ishte normale pasi ishim në garë për titullin. Por, e theksoj se respekti për të nuk më ka munguar kurrë. Një kalim i mundshëm te Mercedes? Nuk e di çfarë do të ndodhë pas vitit 2028. Nuk e di nëse do të largohem nga Formula 1 apo do të nënshkruaj një kontratë të re. Është ende herët dhe nuk mund ta parashikoj të ardhmen”,- u shpreh Verstappen.