Verstappeni shfryn ndaj Russellit: Nuk e duroj dot, e humba të gjithë respektin që kisha për të

02 dhjetor 2024 | 11:54

Pas fitores së jashtëzakonshme në garën dramatike të Çmimit të Madh të Katarit në Losail, e parafundit për sezonin 2024 të Formula 1, katër herë kampioni i botës, Max Verstappen, shfryu publikisht ndaj George Russell, duke përdorur tone shumë të ashpra.

Holandezit të Red Bullit nuk i pëlqeu aspak penaliteti i dhënë nga komisarët e FIA-s, që i hoqën atij “pole position”-in në favor të britanikut të Mercedesit. Penaliteti ishte i çuditshëm, si për shkeljen e pretenduar, ashtu edhe për kohën dhe mënyrën e dhënies së tij (një zbritje prej vetëm një pozicioni në nisje). 27 vjeç nga Hasselt iu vu në dukje se kishte ngadalësuar shumë në një xhiro të ftohjes, duke penguar Russellin në një kthesë, megjithëse edhe ky i fundit nuk ishte në një xhiro të shpejtë. Sipas asaj që Verstappeni shpjegoi në deklaratën e tij publike pas garës, penaliteti erdhi si rezultat i presioneve të jashtëzakonshme që George Russell i bëri FIA-s gjatë takimit me komisarët e F1 pas kualifikimeve (një thirrje që erdhi pas ankesave të Russellit në radio).

Ky veprim e zemëroi kampionin katër herë të botës, i cili e akuzoi rëndë kolegun e tij më të ri: “Mënyra se si piloti tjetër (George Russell) e menaxhoi situatën gjatë mbledhjes me komisarët, sinqerisht, nuk kishte kuptim. Kam shumë respekt për pilotët e tjerë, por pas asaj nate, humba të gjithë respektin që kisha për të. Ishte thjesht qesharake mënyra se si Russell bëri presion për të më dhënë një penalitet. U zemërova shumë me të”.

Në konferencën për shtypin, Verstappen ishte edhe më i qartë: “Kam qenë në dhomën e mbledhjeve (të komisarëve të FIA-s) shumë herë, por nuk kam parë kurrë dikë të bërtasë në mënyrë kaq agresive. E humba të gjithë respektin që kisha për të”. Por shfryrja e Verstappenit nuk u ndal me kaq. Holandezi, si gjithmonë pa doreza, e akuzoi Russellin për hipokrizi dhe deklaroi se kishte ndërprerë përfundimisht çdo lloj marrëdhënieje miqësore me të: “Para kamerave duket shumë i arsyeshëm, por jashtë tyre është një person krejtësisht ndryshe. Nuk e duroj dot. Më mirë të shkojë diku tjetër. Nuk dua të kem më asnjë lidhje me të”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA Rusia dhe Serbia, përmes një…