Veseli: 6 tetori është referendum për të ardhmen e Kosovës
Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë me dije se dita e zgjedhje të parakohshme nuk k është thjesht një ditë votimi.
Ai ka thënë se të gjithë duhet ta dimë se 6 tetori është referendum për të ardhmen e Kosovës.
“Të gjithë duhet ta dimë se 6 tetori nuk është thjesht një ditë votimi. Është referendum për të ardhmen e Kosovës. Nëse duam të ecim fuqishëm drejt rrugëtimit euro-atlantik, drejt ballafaqimit me sfidat reale të korrupsionit, nepotizmit, abuzimit, dështimit dhe rrezikimit të shtetit. Apo, të futemi në dilema, konflikte dhe ikje nga përgjegjësitë. Para nesh qëndron një moment kthese historike. Dhe, në të tilla momente, ajo që del në pah gjithmonë është Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka guximin dhe ekipin më të përgatitur për ta realizuar vizionin e qytetarëve tanë”, ka thënë Veseli për një intervistë për “Kosovapress”.
Ai ka thënë se lista e kandidatëve për deputetë të PDK-së përfaqëson denjësisht qytetarët e Kosovës. “Është lista e besimit dhe guximit për të vepruar për reformat e mëdha që duhet të ndodhin në vendin tonë. E kemi bërë me shumë kujdes të veçantë këtë listë dhe u kemi dhënë hapësirën më të madhe kuadrove të reja që i janë bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.