Veseli: Adem Jashari dhe familja e tij ranë që kombi ynë të ngritej në këmbë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka kujtuar 5 marsin, ditën e rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se atë ditë në Prekaz po ndryshonte historia e kombit tonë.
“Janë disa ngjarje që bartin peshën e ndërrimit të epokave. Ato shënojnë ndarjen e të tashmes prej të shkuarës, duke hapur shtigje të reja nëpër të cilat ecin popujt dhe shtetet. Një peshë të tillë padyshim e ka 5 marsi i vitit 1998. Atë ditë në Prekaz po ndryshonte historia e kombit tonë. Kosova po niste rrugën e pakthim drejt lirisë dhe padyshim simboli më unik i kësaj rruge ishte Adem Jashari dhe familja e tij martire”, ka shkruar Veseli.
Veseli ka shkruar se lufta dhe rënia e tyre, sakrifica e tyre e pashembullt në historinë njerëzore, e vulosën përcaktimin e popullit tonë për liri.
“Adem Jashari dhe familja e tij ranë, që kombi ynë të ngritej në këmbë. Dhe ne u ngritëm. I madh e i vogël, burra e gra, nga të gjitha katër anët e kombit, nga të katër anët e diasporës. U bashkuam nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëmë realitet ëndrrën për të cilën ra Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të lirisë”, ka shkruar Veseli.