Veseli, apel partive politike: Mos bëni akuza, ofroni programe konkrete
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, i ka bërë thirrje kundërshtarëve politikë që mos të adresojnë akuza të ndërsjella mes veti, por të ofrojmë programe konkrete të cilët do t’i shërbejnë qytetarëve të të gjithë Kosovës.
Veseli gjatë tubimit zgjedhor në Rahovec, para anëtarëve të PDK-së dhe simpatizantëve, tha se tha se pas zgjedhjeve të 6 tetorit më së shumti ka me fituar Kosova, e sipas tij Kosova fiton në adresën e PDK-së.
“Të jenë më të qetë mos të marrin me shumë dëshpërim dhe nervozizëm, sepse shumë po hedhin akuza dhe fyerje mes nesh. Ne nuk do të ndajmë më shumë popullin tonë. Ata duhet të orientohen më shumë në projekte, çka do të bëjnë për Rahovecin, për të rinjtë, për luftën kundër korrupsionit, për fermerët”, ka thënë Veseli.
Veseli po ashtu ka shpalosur edhe para rahovecianëve disa nga pikat e programit të tij qeverisës, ku fermerëve u premtoi subvencione dhe projekte në ujitjen e tokave.
“Pas 6 tetorit ka me fituar më së shumti Kosova, e Kosova fiton më shumë në adresën e Ushtrisë e Çlirimtare të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Veseli.
Ndërsa kryetari i Degës së PDK-së në Rahovec, njëherësh kandidat për deputet, Idriz Vehapi duke kërkuar votën për zgjedhjet e 6 tetorit u shpreh se për t’u dëgjuar zëri i rahovecianëve, ata duhet të mbështesin fuqishëm programin e PDK-së.
“Me praninë tuaj me vullnetin e jashtëzakonshëm për të zgjedhur më te mirët. Rahoveci i intelektualve, i punëtorëve i rrushit, i venës, gjithmonë ka ditur të bëjë dallimin. Prandaj besoj fuqishëm se zëri juaj do të dëgjohet për t’i dhënë mbështetje programit të PDK-së”, ka thënë Vehapi.
Në këtë tubim, po ashtu janë prezantuar kandidatët për deputetë të kësaj ane, në mesin e të cilëve është edhe Andin Hoti, djali i veprimtarit Ukshin Hoti.