Veseli: Asgjë e madhe në Kosovë s’është bërë pa kontributin e grave të saj
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në shënimin e 30-vjetorit të demostratave të 23 marsit 1989 me nismëtare gratë dhe vajzat e Balajve në Ferizaj, ka thënë se këto demonstrata ishin shkëndijat e para të një zgjimi masiv kombëtar në Kosovë, kundër ndryshimeve të dhunshme kushtetuese.
Kryeparlamentari Veseli tha se në vitin 1989, derisa në pjesët tjera të botës komuniste po fryente era e lirisë, Kosova po përballej me një agresion të egër nga nacionalizmi shovinist serb.
“Derisa aspirata jonë kombëtare ishte avancimi i statusit politik të Kosovës, Serbia kërkonte të na hiqte edhe atë autonomi që kishim fituar në vitin 1974, pas 30 vjet shtypje e diskriminim nën Jugosllavinë titiste. Po fillonte përballja e madhe me Serbinë. E gjithë Kosova ishte gati të ngrihej. Dhe të parat u ngritën nënat kosovare. U ngritët ju, me guxim e ndjenjë sakrifice për t’i thënë jo agresionit serb mbi Kosovën“, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai tha se ky zë u përhap gjithandej Kosovës, në çdo qytet e fshat të saj, tek të rinjtë e të moshuarit, tek punëtorët e intelektualët, tek studentët e minatorët.
“Prandaj sot, derisa kujtojmë ato ditë guximi e rezistence, ndihemi krenarë me faktin se ëndrra e atyre heroinave për Kosovën e lirë, është bërë realitet. Mundi dhe sakrifica e burrave dhe grave të Kosovës sot qëndron në themele të lirisë dhe shtetit të pavarur e sovran të Kosovës“, tha Veseli.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit tha se në dy dekada liri, janë arritur gjëra të mëdha si komb, mbi të gjitha, Kosova tashmë është shtet i pavarur e sovran. Por, ai shtoi se tashmë është koha për përballje me sfidat e reja, si fuqizimi i shtetit dhe zhvillimi ekonomik.
Kreu i Kuvendit tha se si 30 vite më parë, edhe sot gratë e Kosovës duhet të jenë aty ku vendoset për të ardhmen, aty ku vendoset për shtetin dhe shoqërinë, në politikë, në biznes, në arsim, shëndetësi dhe kulturë.
- “Një gjë është e sigurtë: pa gratë, Kosova nuk do të mund të ecë përpara, sepse historia jonë na mëson se asgjë e madhe në Kosovë nuk është bërë pa kontributin e grave të saj“, theksoi kryeparlamentari Veseli.