Veseli: Askush nuk guxon të mbajë qëndrime të ashpra ndaj Amerikës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se shteti ynë nuk duhet t’i prish marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Veseli ka thënë se Kosova duhet të angazhohet që ta mbajë bazën e Bondsteel, por edhe të bëhet atraksion për investitorët amerikanë.
Ai para gazetarëve ka thënë se duhet të ketë një vendim të përbashkët rreth kërkesave amerikane të cilat i kanë bërë dy zyrtarët e lartë amerikanë, drejtori kryesor për çështje evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath, dhe drejtori për Ballkanin në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, Brad Berkley, raporton “Klan Kosova”.
Duke mospërmendur emra, Veseli ka thënë se askush nuk guxon të mbajë qëndrime të ashpra ndaj Amerikës vetëm për konsum të brendshëm.
Veseli ka treguar se dy amerikanët nuk i ka takuar gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, pasi të njëjtit i ka takuar kur ka qëndruar herën e fundit në ShBA.