Veseli: Asociacioni me kompetenca ekzekutive, i papranueshëm
Kryeparlamentari Kadri Veseli ka dhënë detaje për “Klan Kosovën”, në lidhje me vizitën e përbashkët të liderëve institucionalë kosovarë të zhvilluar sot në Shqipëri.
Veseli ka bërë të ditur se Tirana zyrtare ka dhënë mbështetje të fuqishme sa i përket ballafaqimit të Kosovës në fazën finale të dialogut me Serbinë.
“Shqipëria – pozitë e opozitë, tregoi qartazi një përkrahje të fuqishme në ballafaqimin e Kosovës me Serbinë në kuadër të dialogut. Kemi takuar përfaqësuesit e opozitës por edhe liderët institucional. Qëllimi ynë ishte që ne sa më shpejt të bëhemi bashkë. Qëndrimi i tyre është ai sikurse i qytetarëve tanë kur u shpall pavarësia e Kosovës – ecja përpara e shtetit tonë sovran drejt integritetit, në të njëjtën kohë qëllimi ynë është edhe kujdesi në mënyrë të veçantë ndaj shqiptarëve kudo që janë përfshirë edhe Luginën e Preshevës”, ka treguar Veseli.
Tutje, Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka theksuar se të gjithë liderët përfshirë pozitë e opozitë, janë dakorduar që të kundërshtojnë idetë e mundshme që mund të rrezikojnë shtetësinë e Kosovës, siç është ajo e themelimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive.
“Kjo lëvizje do një strategji nacionale të unifikimit. Ne duhet të bashkohemi gjithsesi në ballafaqimin me Serbinë. Sigurisht ne nuk i frikësohemi këtij ballafaqimi. Jemi dakorduar se Asociacioni me kompetenca ekzekutive do të jetë i papranueshëm. Qëndrimi ynë është që ne duhet t’i drejtohemi zonjës Mogherini, sepse vetëm kur jemi bashkarisht, zgjidhja e problemeve ndodh nga ne”, ka shtuar Veseli.