Veseli: Ata që manipuluan me listat e veteranëve të UÇK-së duhet të turpërohen
Numri i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk është më i madh se sa ai që ka qenë në shtatorin e vitit 1999. Madje shifra me mbi 40 mijë është enorme dhe nuk ka mundësi që të jetë ajo.
Kështu ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës në një intervistë për “Kosovapress” ku ka folur për listat qe veteranëve për të cilën së fundi është ngritur edhe aktakuzë për 12 persona.
Veseli ka thënë se ai u beson atyre të cilët kanë pasur përgjegjësi komanduese dhe se nuk dëshiron të flas me numra.
Kryetari i Kuvendit ka thënë se tema e statusit të luftëtarit të lirisë nuk duhet të bëhet temë dhe nuk duhet të abuzohet me këtë çështje.
Sipas tij Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe luftëtarët e lirisë janë pjesa më e shenjtë e sakrificës sublime të popullit të Kosovës.
Ai ka thënë se Ushtria Çlirimtare të Kosovës, nuk mund të shikohet pa popullin, ndërkohë që ka një porosi për luftëtarët e vërtetë, por edhe për manipuluesit. “Ata të cilët kanë abuzuar do ta marrin përgjigjen e merituar”, ka thënë Veseli.