Veseli: Bajram Rexhepi ishte kryeministër unifikues

21 gusht 2020 | 11:41

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka përkujtuar ish-kryeministrin Bajram Rexhepi, në trevjetorin e vdekjes së tij.

Veseli ka thënë se Rexhepi ishte politikan i ndershëm dhe kryeministër unifikues.

“Bajrami, politikan i ndershëm, pranoi njërën nga sfidat më të vështira të pas luftës, duke shërbyer si kryeministri unifikues i Kosovës në njërën nga periudhat më të trazuara politike e shoqërore”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Veselit:

Kryeministri i parë i Kosovës, dr. Bajram Rexhepi mbetet njëra nga figurat më emblematike të shtetit të ri dhe qytetit të Mitrovicës. Bajrami humanist ishte në vijat e para të frontit të luftës në ndihmë të civilëve e ushtarëve të plagosur të UÇK-së.

Bajrami, politikan i ndershëm, pranoi njërën nga sfidat më të vështira të pas luftës, duke shërbyer si kryeministri unifikues i Kosovës në njërën nga periudhat më të trazuara politike e shoqërore. Ai pati vizionin, guximin dhe kurajën të udhëheq me përgjegjësi; të flasë hapur për çështjet që nuk pajtohej e të marrë vendime të vështira në shërbim të vendit.

Ai nuk u nda asnjëherë nga vendlindja e tij, Mitrovica. Si kryetar i qytetit, Bajrami u shqua si politikan që udhëhiqet nga interesi i publikut. Ai do të mbetet gjatë në memorien e këtij qyteti të dashur.

Bajramin bashkëluftëtar, bashkëvendas, bashkëpartiak e mik, do ta kujtoj përherë me krenari, mirësi e atdhedashuri.

https://www.facebook.com/kadriveseliofficial/photos/a.268197093355504/1676239105884622/?type=3&theater

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës 16 pacientë me Covid…