Veseli, bashkëluftëtarëve: Sot na duhet të luftojmë për një vend të zhvilluar
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është takuar me një grup të ish-ushtarëve të UÇK-së me të cilët ka biseduar për zhvillimet në vend.
Ai ka bërë me dije se preokupimi më i madh i të gjithëve është largimi i të rinjve nga Kosova.
Veseli e ka quajtur të dhimbshëm faktin të rinjtë po na largohen nga vendi për të cilin ka luftuar UÇK-ja.
“Prandaj sot nuk kemi zgjidhje tjetër, duhet ta mposhtim korrupsionin dhe nepotizmin, ashtu siç kemi mposhtur armiqtë 20 vjet më parë. Nuk është një luftë e lehtë, ka shumë pengesa para nesh, por duhet ta fitojmë, së bashku, për veteranët, për të ardhmen e familjeve tona, për rininë, për Kosovën”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Takova sot një grup ish-ushtarësh të UÇK-së. Kishim shumë për çfarë të flisnim, kujtuam ditët e luftës kur të gjithë ishim më të rinj e më të pashëm. Mirëpo mbi të gjitha bashkëbiseduam për dhimbjen që kemi kur shohim se fëmijët po na largohen nga vendi për të cilin kemi luftuar. Ky është dështimi ynë, duhet ta pranojmë.
Ne luftuam me guxim 20 vjet më parë dhe fituam. Megjithatë sot na duhet të luftojmë për një vend të zhvilluar. Bashkëluftëtarët më thanë se nuk luftuan që disa njerëz të gëzojnë privilegje e përfitime që nuk i meritojnë. Ata luftuan në mënyrë që të krijonim një shtet të demokratik me një ekonomi të lirë e të ndershme, me mundësi të barabarta, vlera perëndimore dhe partneritet me aleatët tanë.
Prandaj sot nuk kemi zgjidhje tjetër, duhet ta mposhtim korrupsionin dhe nepotizmin, ashtu siç kemi mposhtur armiqtë 20 vjet më parë. Nuk është një luftë e lehtë, ka shumë pengesa para nesh, por duhet ta fitojmë, së bashku, për veteranët, për të ardhmen e familjeve tona, për rininë, për Kosovën!
/Epoka e re/