Veseli: BE-ja duhet të vendosë këtë vit për liberalizimin e vizave
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot takime të ndara me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Belgjikës, Siegfried Bracke dhe kryetarin e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Dirk Van der Maelen.
Edhe në këto takime temë bosht e bisedës ishte agjenda evropiane e Kosovës, përkatësisht nevoja për marrjen e vendimit brenda këtij viti për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli konfirmoi edhe njëherë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara dhe se qytetarët e saj meritojnë të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, sikurse qytetarët e tjerë evropianë.
Po ashtu, Veseli theksoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Belgjikës në të gjitha sferat, me theks të veçantë në atë të ekonomisë.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit belg, Siegfried Bracke dhe kryetari i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë i kësaj Dhome, Dirk Van der Maelen, konfirmuan vazhdimin e mbështetjes së shtetit të tyre për Kosovën edhe në të ardhmen, si në rrafshin ndërkombëtar, ashtu edhe në zhvillimet e brendshme.
Kryeparlamentari Veseli tha pas takimeve se qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që në mesin e Bashkimit Evropian Kosova ka miq të mëdhenj.
Ai tha se vizitat e tij nëpër këto vende kanë të bëjnë me përçimin e zërit të Kosovës te lidershipet e tyre dhe konfirmimin e vizionit të saj të palëkundur euro-atlantik, me kërkesën për hapa më të shpejtë në këtë rrugëtim, veçanërisht për procesin në pritje, liberalizimin e vizave.
Lidhur me liberalizimin e vizave, kreu i Kuvendit tha se vet përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, insistonte se do tu qëndrohet në krah qytetarëve të Kosovës lidhur me këtë proces.
“Sa i përket liberalizimit të vizave, vendet që ne kemi vizituar, në shumicën e rasteve kanë vlerësim shumë pozitiv. Janë pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, të cilat janë problematike në arritjen e konsensusit brenda Këshillit të Ministrave. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë shprehur qëndrimin pro liberalizimit të vizave. Në të gjitha takimet kam kërkuar që kjo çështje të hidhet në votim, ngase i kemi plotësuar të gjitha kushtet dhe nuk ka asnjë arsye që kjo të zvarritet”, tha kryeparlamentari Veseli.