Veseli: BE-ja me standarde të dyfishta, tregon indiferencë për lirimin e kriminelëve serbë të luftës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar ashpër ndaj lirimit të kriminelëve serbë të dënuar për krime ndaj shqiptarëve.
Veseli, në një postim në llogarinë e vet në “Facebook” madje kritikën më të ashpër e ka pasur me Bashkimin Evropian që po qëndron indiferent ndaj këtyre zhvillimeve dhe për më tepër po i a hap perspektiven integruese Serbisë.
Përderisa e bën këtë, thotë ai, BE-ja me ngulm po dëshiron të mbajë ish-pjesëtarët e UCK-së në burg, duke përmendur këtu ‘Grupin Drenica’.
Kjo është deklarata e plotë e Veselit:
Lirimi i parakohshëm i kriminelit të luftës Miodrag Sholaja, ish pjesëtar i njësisë “Akrepat”, është një akt i turpshëm që demaskon mungesën e vullnetit të Beogradit për të vënë drejtësi. Një vit më parë u lirua pa kryer dënimin e plotë, Sasha Cvjetani. Edhe ai nga e njëjta njësi famëkeqe që kreu masakrën e Podujevës, ku u masakruan 14 civilë, gjysma e të cilëve ishin të mitur.
Është e pakuptueshme heshtja e Brukselit ndaj mosnisjes së proceseve për shumë masakra serbe të zbardhura, gjyqeve të zvarritura apo lëna në mes, dënimeve qesharake sa për sy e faqe e tanimë edhe për lirimin e parakohshëm të kriminelëve të luftës. Këtu duket qartazi se Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta.
Nga njëra anë po i toleron këto veprime, e në këtë mënyrë po i jep dritën e gjelbërt Serbisë që të nëpërkëmbë drejtësinë, duke lënduar për herë të dytë familjarët e viktimave të masakrave. Nga ana tjetër misioni juridik i BE-së në Kosove ka dënuar pa prova e fakte dhe po mban padrejtësisht në burg luftëtarë të lirisë siç janë ata të “Grupit Drenica”.
Kosova nuk duhet të lejojë qē historia të manipulohet dhe viktima të barazohet me xhelatin. Prandaj si kryeministër do i shkoj deri në fund iniciativës sime për një tribunal që në kuadër të drejtësisë tranzicionale do i vendosë këta kriminelë para drejtësisë.