Veseli beson se demarkacioni do të ratifikohet këtë javë
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, beson së çështja e demarkacionit do të kryhet gjatë kësaj jave.
Në një intervistën për “Radio Evropa e Lirë”, ai ka treguar se është duke u punuar intensivisht me të gjitha partitë politike që në seancën e radhës të ratifikohet kjo marrëveshje.
“Presim që këtë javë të përfundojë ratifikimi i Marrëveshjes së shënjimit të kufirit me Malin e Zi. Nuk ka asnjë arsye të kemi vonesa, mjaft jemi vonuar. Në të njëjtën kohë, besoj se kemi arritur tek ajo pika e konsensusit, që të krijojmë edhe besimin që me dy të tretat, ta votojmë një çështje e cila është aq me rëndësi, siç është çështja e shënjimit të kufirit, e cila e forcon sovranitetin e shtetit tonë dhe në të njëjtën kohë i hap edhe perspektivën qytetarëve tanë për lëvizje të lirë drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Veseli.
Ai ka deklaruar se pret reflektim nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe ata të Listës Serbe, në mënyrë që Kuvendi t’i sigurojë 80 votat e nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit.
“E thash, unë besoj shumë se do të kemi një shumicë, e cila do të tejkalojë limitin e dy të tretave (të votave), në të cilën jo vetëm se do të jenë mbi 80 deputetë të cilët do ta votojnë, përfshirë edhe Listën Serbe, por besoj shumë në reflektimin, i cili është pozitiv. Se sa ka guxim nga Lëvizja Vetëvendosje, nga një pjesë e tyre që ta votojnë, por ka lëvizje bukur të mëdha në kuptimin e pozicionit, ngase asnjë arsye më nuk është që të bllokohet votimi i shënjimit të kufirit me Malin e Zi”, ka deklaruar Veseli.