Veseli, Bushatit: Në fund të dialogut, Kosova do ta fitojë ulësen në OKB
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur të premten në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin midis dy vendeve, i shtrirë tashmë në të gjitha fushat, për proceset politike në shtetet respektive dhe me theks të veçantë, për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Veseli konfirmoi edhe njëherë qëndrimin se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të pacenueshme.
Ai ka thënë se në fund të procesit të dialogut, Kosova do të fitojë ulësen e saj në OKB, brenda kufijve me të cilët ka shpallur pavarësinë dhe është njohur ndërkombëtarisht.
Ndërsa kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati, konfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në të gjitha proceset nëpër të cilat ajo po kalon.
Veseli e Bushati kanë theksuar nevojën që spektri politik i Kosovës të dalë me një qëndrim të përbashkët para fillimit të dialogut final.
/Epoka e re/