Veseli: Çdo qeveri mund të bie por Bondsteeli nuk shkon
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i koalicionit qeveritar, Kadri Veseli, ka thënë sot në Mitrovicë se çdo qeveri që rrezikon raportet me ShBA-në dhe bazën e Bondsteel mund të bie.
“Të gjitha qeveritë mund të ecin e Bondsteeli jo. Asnjë qeveri nuk mund të rrezikojë raportet e shenjta me ShBA-të. Ju e keni vërejtur që unë jam tërhequr nga ky debat dhe po më vjen turp se si po e trajtojnë qytetarin tonë. Nuk bënë kështu. Kemi obligime. Kushtetuta është dhe ligjet janë. Qytetarët e Kosovës dhe institucionet e mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”, ka deklaruar lideri i koalicionit qeverisës, Kadri Veseli, pas hapjes së qendrës së inovacionit dhe ndërmarrësisë në Mitrovicë.
“Serbisë do t’i përgjigjemi ashtu si e meriton. Si me tarifë ashtu edhe me reciprocitet. Nuk duhet me marrë këtë pjesë si sherr të vetvetes se e kanë tepruar disa duke e marrë si individuale. Nuk mundet askush vet për ta mbrojtur Kosovën. Ju kujtohet kur i pata thënë Avdullahut që me na lënë edhe neve me i ndihmu për me mbrojt Kosovën. Edhe këta tjerët, njësoj duhet me ditë që më së miri Kosova mbrohet nga të gjithë bashkërisht. Ne politikanët e kemi përgjegjësi për t’ju përgjigjur qytetarëve, Kushtetutës dhe ligjeve të cilat janë në fuqi. I shenjtë është sovraniteti i Kosovës”, ka thënë Veseli.
/Epoka e re/