Veseli, Damon Wilsonit: Vazhdimi i mbështetje amerikane, i domosdoshëm për Kosovën

27 maj 2019 | 15:33

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim nënkryetarin e Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, i cili është duke qëndruar në Kosovë në krye të një delegacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA)

Kryeparlamentari Veseli dhe nënkryetari i Këshillit të Atlantikut, Wilson, kanë diskutuar për bashkëpunimin midis Kosovës dhe ShBA-së dhe për zhvillimet politike në vend dhe rajon.

Veseli ka rikonfirmuar mirënjohjen e thellë të Kosovës e të popullit të saj për gjithë mbështetjen që shteti amerikan ka dhënë dhe po jep për vendin tonë në të gjitha fushat.

Ai e ka konsideruar të domosdoshëm vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën edhe në sfidat e tjera që ajo ka para vetes, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe të konsolidimit të mëtejmë të shtetësisë në rrafshin ndërkombëtar.

“Me përfaqësuesit e Këshillit Atlantik dhe të administratës së Kongresit Amerikan pata një diskutim përmbajtjesor për Kosovën dhe zhvillimet rajonale. U fokusuam tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ku theksova vendosmërinë tonë për t’u përpjekur në arritjen e një marrëveshje ligjore gjithëpërfshirëse që siguron njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, BE dhe NATO. Për ta bërë këtë gjë, presim që ShBA-të të luajnë një rol më aktiv për të mbështetur këtë proces. Miqtë nga Këshilli i Atlantikut i falënderova për kontributin e tyre të deritanishëm dhe i kërkova mbështetje në fushën e informimit të publikut dhe planifikimit strategjik. Gjithashtu, i informova për nismën time në kuadër të drejtësisë tranzicionale duke shpjeguar se zbardhja e së kaluarës dhe vënia në vend e drejtësisë për krimet e kryera nga shteti serb i shërben përfundimit të konfliktit dhe pajtimit ndër-etnik”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, nënkryetari i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë, tha se Këshilli i Atlantikut do të angazhohet edhe më shumë brenda ShBA-së për të shtuar vëmendjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës.

Po ashtu, ai ka thënë se do ta ndihmojnë Kosovën në ofrimin e ekspertizës më të mirë për të asistuar në procesin e dialogut.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
25 komuna kanë shënuar të premten edicionin e tetë të…