Veseli: Dëshmorët, burim frymëzimi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në Kosovë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Stanoc të Vushtrrisë me rastin e ditës së Dëshmorëve të UÇK-së në këtë komunë.
Po ashtu, Veseli ka bërë homazhe edhe të varrezat e dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit në përkujtim të 21-vjetorit të Epopesë së Vërrinit.
Me këtë rast, Veseli ka thënë se lirinë dhe pavarësinë e kanë arritur falë sakrificës sublime të luftëtarëve të lirisë.
“Për nder të Ditës së Dëshmorëve të UÇK-së në Komunën e Vushtrrisë, bashkë me familjarë të dëshmorëve, me veteranë e invalidë të UÇK-së bëmë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Stanovc. Po ashtu, në përkujtim të 21-vjetorit të Epopesë së Vërrinit dhe rënies së heroit Xhevat Berisha, në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e tij bëmë homazhe edhe te varrezat e dëshmorëve në Landovicë”.
“Lirinë dhe pavarësinë i kemi arritur falë sakrificës sublime të luftëtarëve të lirisë, që dhanë gjithçka për atdheun tonë. Vepra e tyre do të shërbejë përherë si pishtar ndriçues në rrugëtimin e brezave të rinj dhe si burim frymëzimi në përpjekjet tona për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në Kosovë”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/