Veseli dhe Gjimshiti: Këndellemi ndaj Ukrainës
Frederik Veseli dhe Berat Gjimshiti ishin dy futbollistët e kombëtares kuqezi që u shfaqën në konferencën e radhës për shtyp përpara miqësores ndaj Ukrainës që do të zhvillohet më 3 qershor në orën 16:00 në Evian të Francës.
Dy qendërmbrojtësit u shfaqën optimistë për takimin e radhës ndaj Ukrainës, pavarësisht prej humbjes 3-0 në sfidën ndaj Kosovës. I pari që e mori fjalën ishte Veseli i cili në këtë sezon arriti ta siguronte ngjitjen në Serinë A me Empolin.
“Problemi ndaj Kosovës nuk ishte vetëm në mbrojtje. Ishte e gjithë skuadra që nuk funksionoi. Ne si lojtarë kur vijmë në kombëtare duam të luajmë e të luftojmë edhe nëse nuk jemi aktivizuar në ekipet tona. Nuk ishte ndeshje e mirë ajo ndaj Kosovës. Tani duhet të shikojmë përpara të bëjmë mirë me Ukrainën. Diskutojmë për çdo ndeshje. Mendoj se do të ketë ndryshime në mbrojtje ndaj Ukrainës. Vendos trajneri, por besoj se skuadra do të reagojë pas paraqitjes me Kosovën. Janë gabime që mund të përmirësohen ndaj Ukrainës”, ka thënë Veseli. Dëshira për të reaguar pas asaj paraqitjeje shumë të dobët ndaj Kosovës është shumë e madhe te Shqipëria dhe këtë e konfirmoi edhe Berat Gjimshiti. “Me Kosovën ishte ndeshje e dobët si ajo me Luksemburgun. Mendoj se gjithmonë mund të reagojmë. Besoj se para startit të Nations League mund të provohen disa lojtarë për t’i treguar vlerat e tyre. Çdo trajner ka mënyrat e veta për të punuar. Tani duhet të lëmë pas Kosovën dhe të bëjmë më shumë me Ukrainën. Ka rëndësi të përmirësohemi dhe të reagojmë për gabimet që kemi bërë dhe për tifozët. Ne jemi profesionistë dhe jemi të hapur çdo gjë”, ka thënë Gjimshiti.