Veseli: Diasporën nuk duhet ta shohim si remitencë, por si dije dhe potencial për zhvillim

18 maj 2018 | 10:37

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur të premten përfaqësues të diasporës nga shumë vende të botës, të cilët me mbështetjen e kryeparlamentarit Veseli po qëndrojnë në Prishtinë.

Takimi është organizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në bashkëpunim me organizatën “Germin”.

Gjatë adresimit në seancë solemne para përfaqësuesve të diasporës, kryeparlamentari Veseli, ka thënë se diaspora ka qenë gjithmonë shtyllë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës.

“Diaspora ka qenë gjithmonë shtyllë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës. Që nga Rilindja Kombëtare e deri në ditët e luftës për çlirimin e Kosovës, të gjitha projektet e mëdha të kombit tonë kanë filluar në mesin e diasporës sonë. Pa diasporën, Kosova sot nuk do të ishte këtu ku është. Sot, ajo është shtyllë e ekonomisë dhe shtetit të Kosovës, prandaj shteti i Kosovës ka obligime të mëdha ndaj bashkatdhetarëve tanë, kudo që ata jetojnë e punojnë nëpër botë”.

“Ne kemi një diasporë që rrallë ndonjë popull në botë e ka. Lidhjet e saj me vendlindjen janë të fuqishme, por sot rrethanat kanë ndryshuar. Nevojat janë të tjera: tjera sfida kemi përpara dhe kjo nënkupton edhe qasje të reja. Ka ardhur koha që ne të lëvizim përtej të kuptuarit të diasporës thjesht si fuqi e remitencave për familjet tona dhe si kategori e mallit për vendlindjen. Sot, njerëzit tanë në diasporë janë të integruar në trendet më të avancuara të zhvillimit dhe të dijes”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se shqiptarët në diasporë janë investitorë dhe menaxherë kompanish të mëdha.

“Janë drejtorë bankash, e sipërmarrës të suksesshëm. Janë intelektualë, ekspertë e përfaqësues institucionesh shtetërore. Zëri i tyre dëgjohet gjithandej botës, e lista e sukseseve të tyre është e gjatë. Kjo na bënë krenarë. Diaspora jonë përbën një potencial të madh, nga i cili mund dhe duhet të përfitojë Kosova. Kjo mund të arrihet duke ndërtuar komunikim praktik institucional me njerëzit tanë në diasporë, me idetë e tyre dhe me potencialin e tyre investiv”, ka deklaruar Veseli.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka nisur në Sofje të Bullgarisë, forumi ekonomik i Vjenës,…