Veseli: Disa pseudopatriotë po i japin zjarr Haradinajt, se me taksën duhet shkuar deri në fund
“Të ruhet miqësia me SHBA-në”, ka thënë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai është shprehur se nuk duhet lejuar që Serbia të përfitojë nga gabimet e Kosovës.
Në një intervistë për televizionin publik, Veseli ka thënë se nuk është dashur të vijë momenti që zyrtarët shtetërorë amerikanë t’u dërgojnë letër tre liderëve kosovarë për t’u kërkuar që ta heqin taksën.
“Nuk ka pasur fare nevojë që të vije deri tek kjo situatë, deri te kjo letër. Duhet kuptuar e marrë më seriozisht SHBA-në. Kjo është arsyeja që kohë më parë kam bërë një propozim me qëllim ruajtjen e dinjitetit e vendimmarrjes së shtetit, për arsye se Serbia e meriton, jo vetëm masën 100 për qind, por meriton edhe masën e reciprocitetit, edhe një varg masash për shkak të sjelljes të cilën e ka jokorrekte për dy dekada ndaj mallrave, ndaj qytetarëve, ndaj institucioneve tona si Republikë e Kosovës. Në të njëjtën kohë, do ta ruante edhe partneritetin me SHBA-në dhe Perëndimin, dhe do ta mbante më të fuqishëm shtetin tonë. Për vetë faktin që sovraniteti, shteti, integriteti mbrohen më së miri me partner si SHBA-ja. Këtë e ka dëshmuar e kaluara, këtë e dëshmon edhe e sotmja”, ka thënë Veseli.
Ai ka thënë se “nuk ka pasur fare nevojë që ta kemi këtë letër, dhe ne nuk guxojmë as të lejojmë që pas dy dekadash lirie, diçka çka është vendimmarrje legjitime e interes shtetëror, të na dalë si pengesë ose si konfrontim me partnerët e pastaj të jetë njëfarë lloj anësie e përbashkët, edhe në dukje është e dëmshme, e SHBA-së me Republikën e Serbisë”. “Do të thotë duhet të jemi pragmatist dhe duhet marrë më seriozisht SHBA-në, për arsye se me ta kemi ardhur dhe mirë kemi ardhur, denjësisht, me krenari deri më sot dhe mund të shkojmë edhe më tutje bashkërisht”, ka thënë Veseli.
Ai është shprehur se nuk duhet të lejohet që partnerët ndërkombëtarë të kenë të njëjtin qëndrim me Serbinë.
“T’iu ikim populizmave dhe disa gjërave që veç më shumë janë duke na dëmtuar, duke u munduar edhe të bëjnë garë mes neve. S’kemi garë mes neve, ne duhet të kemi mençurinë se si të tejkalojmë një situatë të vetëkurthit që të përfitojë Serbia. Ne nuk guxojmë që ta lëmë Serbinë që të përfitojë. Kjo është ajo që jam duke u munduar dhe duke u përpjekur që një kohë, duke paguar edhe çmim për këtë, edhe politik, vetëm që të kalojmë në mënyrë të mençur këtë sfidë, e cila është edhe njëlloj vetëkurthi në të cilin mund të futemi. Ne duhet ta ruajmë partneritetin me SHBA-në dhe Perëndimin. Asnjë partner perëndimor nuk e kemi aktualisht në anën tonë në këtë çështje. Por në të njëjtën kohë, ne duhet ta ruajmë edhe dinjitetin e vendimmarrjes së shtetit tonë, për arsye se nuk do të gjunjëzohemi para Serbisë”, ka thënë ai.
“Nuk kam asnjëlloj dyshimi, as më të voglin, as shqetësim, se nuk e kanë përkushtimin të gjithë bartësit e institucioneve, edhe Delegacioni shtetëror, për mbrojtjen e shtetit tonë. Po hajde të dimë se si ta mbrojmë! Largojmë në rend të parë një konflikt, qoftë edhe shumë të vogël, me partnerët si SHBA-ja dhe BE-ja dhe në asnjë mënyrë të mos lejojmë që ata të dalin me Serbinë në të njëjtin qëndrim. Kjo është gabim”.
Veseli ka thënë se i thërret të mençurit e mençur për të ndihmuar që Kosova të dalë nga kjo situatë. “Disa pseudo të mençur e pseudopatriotë janë duke i japë zjarr, duke u munduar që ta vëjnë në një pozicion të vështirë kryeministrin përmes një mentaliteti shumë arkaik, se duhet shkuar deri në fund. Çka është interesi i Kosovës? Çka është interesi i atdheut, çka është interesi i qytetarëve? Interesi është mbrojtja e shtetit, mbrojtja e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare dhe për të qenë pragmatik e të mençur. Pseudopatriotët që kanë filluar ta zbulojnë që Trumpi qenka i zënë nga rusët e hajde të presim derisa të rrëzohet Trump, ta ndalin këtë mashtrim. Pastaj duke bartur çdo ditë lajme për Rusinë se është e fortë e e pamposhtur ushtarakisht. Kosova është shtet i pavarur e sovran, shkojmë në dialog me qëllimin shumë të qartë që të njihet nga Serbia”, ka thënë ai. “S’ka tjetër alternativë nga dialogu, do të ruhet sovraniteti, nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive, edhe Kosova do të jetë partner me SHBA-në në mënyrë të përjetshme. Jo veç me fjalë, në mënyrë të përjetshme. Edhe kur na ka ënda e ndonjëherë edhe kur s’na ka ënda, do të jemi me SHBA-në”.
Veseli ka theksuar se duhet bërë politikë racionale e me kokë të ftohtë. “Unë mendoj se mbi të gjitha do të qëndrojë racionaliteti, me kokë të ftohtë, të vendosim për të mirën e qytetarëve, përpara e kemi liberalizimin e vizave që të ndodhë, mos të kemi sanksione nga BE-ja. Edhe ashtu ata janë të predispozuar vetëm të gjejnë shkas, se nuk kanë arsye ta mbajnë Kosovën të izoluar prapë”, ka thënë ai.
I pari i Kuvendit është shprehur se Haradinaj e ka mbështetjen e tij që ta çojë mandatin deri në fund, si dhe ka thënë se opozita duhet të jetë edhe për shtet e jo vetëm për pushtet.
plan është ruajtja e Kosovës, zhvillimi ekonomik, ndërmarrësia. Në plan është që kryeministri e ka përkrahjen time të plotë, të fuqishme, që ta çoj mandatin deri në fund, në interesat e ndërmarrësisë, në interesat e qytetarëve, në interesat e sektorit publik, në ruajtjen dhe partneritetin me SHBA-në dhe partnerët perëndimorë. Dhe kjo duhet të ndodhë. Nuk kemi nevojë të kemi eksperimentime, të cilat opozita thotë se marrë përgjegjësi veç nëse marrë copë pushteti. Ta lëmë çështjen e pushtetit, ta kryejmë çështjen e shtetit aktualisht, i cili është dialog, ballafaqim dinjitoz me Serbinë”, ka thënë ai. “Nuk frikësohemi, Serbia do ta njohë shtetin e Kosovës, nuk ka alternativë tjetër. Mos të gëzohen hileçarët dhe ata që e kanë tjetërkund shpirtin dhe mendjen, ne do të jemi me SHBA-në, ne do ta mbrojmë Kosovën, Asociacion serb me kompetenca ekzekutive në Kosovë nuk do të ketë dhe do të ecim përpara”./RTK