Veseli diskuton me studentët për liberalizimin e vizave dhe demarkacionin
Kryeparlamentari Kadri Veseli ka zgjedhur që ditën e parë të muajit të pavarësisë, tashmë që Kosova po i bënë 10 vjet shtet, ta nisë me studentë 19 vjeçar, të lindur në vitin e lirisë 1999.
Veseli ka diskutuar me studentët për të arriturat e Republikës së Kosovës por edhe për sfidat e tashme dhe të ardhmen e vendit.“Është dita e parë e muajit të pavarësisë, dhjetë vjetorit që jemi bërë shtet i pavarur dhe sovran. Ju e dini çfarë domethënie ka shteti i pavarur dhe sovran për ne. Ju jeni gjenerata e lirisë, 19 vjeçar. Kemi arritur shumë por ka mundësi Kosova të bëjë edhe më shumë për rrugëtimin e vet”, ka thënë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.
Gjatë diskutimit me studentët, Kryeparlamentari Kadri Veseli është sfiduar edhe me pyetje rreth temave të ndjeshme politike me të cilat përballen ata, në veçanti për demarkacionin dhe liberalizimin e vizave.Kjo puna e demarkacionit po zgjatë shumë, qe tri vjet më duket janë bërë. Është një problem që po na shqetëson edhe ne neve të rinjve. A është duke shkuar drejt zgjidhjes apo vetëm po vështirësohet më shumë?”, ka thënë studenti Enis Presheva.“Është rrugëtim i pashmangshëm. Përcaktimi i kufirit shtetëror është interes strategjik i Republikës së Kosovës. Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë nga fillimi shumë i qartë, se duhet të kalojë, për vet faktin se i hapë perspektivë Kosovës me partnerët e Bashkimit Evropian. Unë jam për me kalu sa më shpejt, për arsye se mund të vonohemi dhe mund të dëmtohemi. Duke iu përgjigjur studentëve në pyetjet e tyre për demarkacionin, Kryeparlamentari Veseli ka theksuar se ajo marrëveshje do ti hapë rrugë zhbllokimit të bllokades së lëvizjes së lirë dhe avancimit të Kosovës drejt integrimeve euro atlantike.“Kalimi sa më i shpejt i demarkacionit i hap perspektivë të rinjve si ju dhe në të njëjtën kohë i hap perspektivë qytetarëve të Kosovës dhe shtetit tonë drejt integrimeve në Bashkimin Evropian. Përndryshe ne gjendemi në një situatë bllokade, e cila nuk krijon perspektivë.
Demarkacioni duhet të kaloj, për arsye se gjithë ajo çka posedon Republika e Kosovës, po flas fakte juridike mbi të cilat ndërtohet shteti, është se marrëveshja të cilën e kemi nënshkruar në Vjenë është ajo e cila është reale”, ka thënë Veseli.Marrëveshja e shënjimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi aktualisht ndodhet në Kuvend dhe sipas procedurave parlamentare ajo pritet të shqyrtohet dhe hidhet për votim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.