Veseli: Ushtrinë do ta bëjmë me përkrahjen amerikane
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe se transformimi i FSK-së në ushtri do të votohet më 14 dhjetor.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ne do ta votojmë me datën 14 dhjetor. Drejtimi ynë si shtet është shumë i qartë, si komb, Perëndimi, Bashkimi Evropian, NATO, partneriteti shumë i veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të ecim në këtë rrugëtim të përbashkët. Po besoj shumë që zoti Stoltenberg do të ketë qëllime të mira dhe do ta kuptojë si një e drejtë legjitime e jona. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran, përndryshe atëherë cila është logjika e funksionalitetit të shtetit tonë?”, ka thënë Veseli.
I pyetur se Stoltenbergu ka thënë se do të ketë pasoja nëse vazhdohet me procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës?, Veseli ka theksuar se Stoltenbergu më tepër do të duhet të shqetësohet me bazat ruse në Serbi në Nish.
“Ne në takimet që kemi pasur në IOWA, një vizitë e shkëlqyeshme, takime të cilat i pata edhe sot me senatorin Peters i cili është në Komitetin e Forcave të Armatosura në Senat, ne kemi përkrahje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të lëvizim me autoritetin tonë për një ushtri e cila është e partneritetit, e NATO-s dhe qëndrueshmërisë. Kosova dëshiron jo vetëm të konsumoj paqe, por në të njëjtën kohë edhe të prodhojë paqe në rajonet e tjera ku ka kriza dhe Kosova është e aftë ta bëjë këtë përmes forcave të veta të armatosura. Kjo do të jetë e ardhmja e partneritetit, jo cënim i fqinjësisë. Ushtria jonë është ushtri e partneritetit, jo ushtri që cënon fqinjët. Stoltenberg më tepër do të duhet të shqetësohet me bazat ruse në Serbi në Nish, se sa me forcën e partneritetit të NATO-s, e cila është e lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e NATO-s”, ka deklaruar Veseli.